Odiseu i popullit opozitar nuk mbërrin kurrë në Itakë

Odiseut, heroit të luftës së Trojës iu deshën 10 vjet. Në këtë hapësirë kohore ai bëri rrugën nga Troja drejt Itakës, ku e priste Penelopa, e shoqja. Megjithëse distanca mes dy vendeve matej me 565 milje detare, nuk ishte largësia, por peripecitë që e mbajtën kaq gjatë larg shtëpisë.

Qindra sprova i dolën para; herë me zotat kundër e herë me zotat në anë e vet. Peripecitë, si ato të heroit grek të lashtësisë, filluan të njihen simbolikisht si ‘odiseja’. Një metaforë që erdhi për të shënuar sfidat e shumta në një sipërmarrje nga një individ apo grup.

Para se t’i vihej udhëtimit të kthimit, Odisea kishte qenë thelbësor edhe për luftën e Trojës. 10 vjet zgjati edhe lufta. Këta dy dhjetë vjetësh u pavdekësuan në monumentet e letërsisë, ‘Iliada’ dhe ‘Odisea’.

Me qindra personazhe i popullojnë këto kryevepra. Ndër ta shndrin Penelopa që pret të shoqin ti kthehet nga lufta. Si teknikë për të zmbrapsur mëtonjësit e shumtë që i kërkonin dorën trashëgimtares së Itakës, ajo kishte zgjedhur endjen në avlëmend.

Kushti ishte që, kur të mbaronte së enduri cohën që kish marrë në dorë, do t’i jepte fund pritjes dhe do të martohej me një prej burrave.

Me një kurth: atë që thurte ditën ajo e shthurte natën. E vetme kundër shpresës, ajo sërish kishte shpresë.

Kjo është pak a shumë edhe metafora e popullit opozitar sot. Edhe ata shpresojnë që ‘mbreti’ i tyre do të kthehet nga lufta me fitore. Edhe pse përballë kanë një llogari të ftohtë.

Në luftën e politikës, që prej vitit 2005, ai është mburrur vetëm me fitoret e Agamemnonit. Betejat e veta i ka humbur. Edhe nëse i kthen popullit të tij fronin e pushtetit në vitin 2025, në terma kohorë ai do të ketë konsumuar një odise. 

Siç e thamë, heroit grek iu deshën 20 vjet për ta bërë dhe për ta fituar luftën e Trojës si dhe për t’u kthyer në Itakë.

Në këtë cak jemi: kërkohen kohë mitologjike për të arritur rezultate njerëzore.

Në fund edhe një shënim: ky editorial është me personazhe të sajuar dhe çdo përkim me realitetin është rastësor. Gjithashtu mendimet e shprehura në të janë të miat dhe nuk përfaqësojnë linjën editoriale të RTV Orës.

EMISIONET