Jennifer Garner rikthehet në universin e “13 Going on 30”/ Nisin xhirimet e versionit të ri të Netflix

Jennifer Garner është parë në sheshxhirimin e versionit të ri të komedisë romantike ikonike “13 Going on 30”, duke shënuar rikthimin e saj në universin e filmit që e bëri edhe më të dashur për publikun.
Aktorja 54-vjeçare u shfaq elegante me një fustan me motive lulesh gjatë xhirimeve në Santa Monica, Kaliforni. Përveçse është pjesë e projektit, Garner mban edhe rolin e producentes ekzekutive. Në xhirime ajo u pa së bashku me Judy Greer dhe Emily Bader.
Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur Garner dhe Greer interpretuan personazhet Jenna Rink dhe Lucy Wyman në filmin origjinal të vitit 2004, i cili u shndërrua në një sukses të madh, duke arkëtuar 96 milionë dollarë në mbarë botën.
Ende nuk është bërë e ditur nëse Garner dhe Greer do të rikthehen në rolet e tyre ikonike apo do të interpretojnë personazhe të reja në këtë adaptim të Netflix. Versioni i ri, me regji të Brett Haley, pritet ta zhvendosë historinë në vitin 2009, ndërsa xhirimet kanë nisur që muajin e kaluar.
Kasti i ri përfshin emra si Adeline Rudolph, Logan Lerman, Jessica Alba, Taylor Ortega, Tim Meadows dhe Dan Bucatinsky, ndërsa filmi origjinal kishte në përbërje aktorë të njohur si Mark Ruffalo, Andy Serkis, Brie Larson, Ashley Benson, Jim Gaffigan dhe Kathy Baker.
Regjisori Brett Haley e ka cilësuar “13 Going on 30” si një nga komeditë romantike më të veçanta, duke theksuar se prania e Jennifer Garner si producente ekzekutive i jep projektit një vlerë të shtuar dhe një lidhje të fortë me filmin origjinal.


