Tre akte normative të qeverisë për pandeminë  të futura pa zhurmë në Kuvend sollën debat mes kreut të Kuvendit dhe përfaqësuesve të opozitës në nisje të sesionit të ri parlamentar, i fundit para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ruçi u kërkoi deputetëve votimin në parim të tyre, por Gjoni, Hajdari dhe Gjuzi deklaruan se mund të japin votën pa lexuar më parë përmbajtjen e tyre.

Gramoz Ruçi: Do të kërkoja mirëkuptimin e deputetëve është se nga qeveria janë paraqitur 3 akte normative,që të treja kanë të bëjnë me përballimin e pandemisë nga Covid 19. Po u lexoj titujt.

-Akt normativ numër 1 për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe nëpërmjet Pfizerit, Export BV, Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP dhe Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin. Autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinës anti-Covid dhe përdorimin e tyre në popullatë.(U miratua me 94 vota pro, 5 kundër, 3 abstenim)

-Akt normativ numër 38 për dhënien e autorizimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit e vaksinës anti-Covid 19 që janë cerfikuar nga Departamenti Amerikan i Ushqimit dhe Barnave ose Agjencia Europiane e Barnave. (U miratua me 94 vota pro, 5 kundër, 3 abstenim)

-Akt normativ numër 3 për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar për prodhimin dhe furnizimin përmes Pfizer, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin. Kërkoj miratimin për ratifikimin e këtyre tre akteve për vetë emergjencën që kanë. Kam bërë një konsultë me kryetarët e grupeve dhe kemi rënë dakord.(U miratua me 94 vota pro, 5 kundër, 3 abstenim)

Ralf Gjoni: Jam dakord ti shqyrtojmë aktet normative të qeverisë por ky ekzekutiv nuk mund të tallet në këtë farë feje me parlamentin e Shqipërisë. Kërkoj tekstin e këtyre akteve dhe nuk ka asnjë shenjë. Deputetët nuk mundet të shprehen me votim bazuar në tituj të lexuar nga kryetari i Kuvendit. Keni kaluar nga debati i madh i vitit të kaluar me kolegen e nderuar Manastirliu për vaksinën COVAX që nuk e di se ku po fshihet se nuk po shohim asnjë gjurmë të saj, në disa vaksina klandestine nga gjoja një vend anëtar i BE që po shpërndahet aktualisht, deri në marrëveshje teksti i të cilave mungon. Dëgjojmë dhe në media për marrëveshje sekrete që duhet të miratohen nga Kuvendi për shkak se na e paska kërkuar kompania Pfizer.

Rudina Hajdari: Nuk jam dakord me mënyrën e procedimit. Duhet të jemi sa më transparent me qytetarët, aktet normative nuk kanë pse të kalojnë  sot. Mund të rimblidhemi në një seancë tjetër, deputetë dhe qytetarët të njihen me këto akte normative. Nuk kemi pse të sillemi sikur ka ndonjë sekret të madh.

Kujtim Gjuzi: Ju diskutuar këtu lidhur me aktet normative për vaksinën anticovid, por kryeministri ka shkelur ligjin duke futur në mënyrë kontrabandë vaksina të pa certifikuar nga Laboratori Kombëtar i Barnave. Prandaj sot në nisje Rama mungon këtu se e di që opozita do t’i nxirrte probleme. Ju doni të na mbyllni gojën, nuk na vijnë mediat në konferencë. Pse nuk vjen kryeministri në interpelancë me 8 deputetë? Është pa qejf? Keni frikë se vijnë zgjedhjet dhe harxhoni seancën, e doni të na mbyllni të gjithë gojën.

Përkundër debateve, Kuvendi në mbyllje të seancës miratoi në parim të tre aktet normative.

Foto: Fleta e votimit

Me 28 janar votohet marrëveshja me Pfizer

Ndërsa me 28 janar do të miratohet marrëveshja sekrete e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer për vaksinën anti-Covid.

Pavarësisht se deputetët do të kenë të drejtën të njihen me dokumentin, ata janë porositur që për publikun të mos ketë asnjë informacion për çmimin apo detaje për transportin e 500 mijë dozave që pritet të mbërrijnë në Shqipëri.

Jeta parlamentare deri me 25 prill pritet të jetë e zbehtë pasi deputetët do të jenë të fokusuar në fushatën e tyre elektorale me takimet në bazë.

Ligji për Presidentin, Kodi i ri Penal, Ligji për Amnistinë apo për referendumet, janë disa prej nismave më të rëndësishme, të cilat nuk kanë konsensusin e të gjitha palëve.

Komisioni për raportin e Dick Marty dhe lidhjet e Lulzim Bashës me këtë hetim do të jetë një tjetër çështje që do të vijojë të krijojë debat, por siç është cilësuar në fillim, ky komision nuk do të kryejë hetime, por thjesht do të mbledhë hetimet e kryera nga institucionet shqiptare që më pas t’i drejtohen Parlamentit me anë të një rezolute.