Përveç George Best, Diego Armando Maradona ndërroi jetë në të njëjtën ditë, katër vjet më pas, nga ai që ai e konsiderontesi një “baba i dytë”: Fidel Castro.

Legjenda argjentinase kishte thurur një marrëdhënie të ngushtë me revolucionarin kuban, të karakterizuar nga admirimi i ndërsjelltë, në një ndërthurje të çuditshme të pasionit për politikën dhe dashurisë për sportin.

Ishte viti 1987 kur “El Pibe de Oro” shkoi në Kubë për herë të parë si mysafir i liderit komunist.

Maradona nuk i fshehu kurrë idetë e tij politike, të cilat i ka manifestuar duke dalë në krah të liderëve të Amerikës Latine dhe më gjerë, të parë me një sy tjetër nga Perëndimi, shkruan Ora News.

Gjatë viteve të varësisë nga kokaina, ishte pikërisht Kuba ku argjentinasi qëndroi për tu detoksifikuar ndërsa miqësia me Castron u bë gjithnjë e më e ngushtë.

“Ju jeni Che Guevara i sportit“, i tha lideri kuban Maradonas, me këtë të fundit që bëri si tatuazh në sup figurën e dy heronjve të Revolucionit të ’59.

Edhe goli kundër anglezëve gjatë Kupës së Botës Meksikë ’86, i njohur si “Dora e Zotit”, ishte një formë rebelimi e Diego Armando Maradonas. Përmes këtij gjesti dinak kampioni ndëshkoi një Perandori që, katër vjet më parë, kishte pushtuar Ishujt Falkland-Malvinas, duke vrarë qindra argjentinas të rinj.

“Prekja” tallëse me dorë por vendimtare për eliminimin e britanikëve nga turneu, ishte pra akti kryesor i një lufte politike kundër fuqisë imperialiste të Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj, shkruan Ora News.

Por përveç Fidel Castros, Maradona ka patur miqësi të ngushtë edhe me udhëheqësin e Venezuelës Hugo Chavez.

 Chavez dhe Fidel e kishin “pagëzuar” Maradonën me titullin e “trashëgimtarit” të tyre politik, i cili përmes gjuhës universale të futbollit fliste kundër kapitalizmit në të gjithë botën. Një detyrë që kampioni u përpoq ta kryente gjithashtu me fjalë në autobiografinë e tij “Io sono El Diego”, ku magjistari i futbollit flet mbi Marksin dhe komunistët e Amerikës Latine.

 Pas lamtumirës nga futbolli aktiv Maradona vendosi të ishte një militant aktiv politik. Ai e deklaroi veten një “ushtar” të udhëheqësve brazilianë Dilma dhe Lula dhe mbështet Daniel Ortega në Nikaragua, i cili i dha atij Urdhrin Sandinista.

Ai ishte gjithashtu afër Evo Morales, kreut të shtetit të Bolivisë dhe gjithashtu një revolucionar, me të cilin ai gjithashtu luajti një ndeshje futbolli me disa miq, përfshirë Ahmadinexhadin. Maradona më pas i dha këtij të fundit bluzën e tij me numrin 10, duke ngjallur polemika të shumta.

Simpatia e argjentinasit ndaj qasjes antiamerikane të ish-presidentit të Iranit sigurisht që nuk ishte sekret.

 Më në fund Diego Armando Maradona gjithashtu arriti një partneritet të mirë politik me Pepe Mujica, presidenti uruguajan që i dha vetes një pagë simbolike duke jetuar në një mënyrë “proletare” dhe me Rafael Correa, ish president i Ekuadorit.

/A.R, OraNews