U ndje keq gjatë koncertit/ Lionel Richie flet pas incidentit në skenë: Jam mirë, faleminderit për mbështetjen

Lionel Richie qetëson fansat pas problemit shëndetësor që e detyroi të anulonte disa koncerte. Këngëtari legjendar amerikan ka bërë me dije se gjendja e tij është përmirësuar dhe se po përgatitet të rikthehet në skenë pas rekomandimit të mjekëve për pushim.
Përmes një postimi në Instagram, Richie falënderoi fansat për mbështetjen dhe mesazhet që mori pas incidentit gjatë turneut të tij, duke bërë të ditur se ndihet mirë dhe është mirënjohës për dashurinë që i kanë treguar.
Artisti kujtoi edhe koncertet e zhvilluara në Pittsburgh dhe Detroit, të cilat i cilësoi si të veçanta, ndërsa konfirmoi se mezi pret të rikthehet para publikut në koncertin e planifikuar në Toronto.
Pak ditë më parë, 77-vjeçari u detyrua të shtynte koncertet në Chicago dhe Columbus pasi u ndje i trullosur gjatë performancës hapëse të turneut në Minnesota.
Incidenti ndodhi teksa interpretonte këngën "Dancing on the Ceiling". Richie ndërpreu performancën, u ul në skenë dhe iu drejtua publikut me humor, duke thënë se kur njeriu ndihet i trullosur, gjëja e parë që duhet të bëjë është të ulet.
Më pas ai vazhdoi koncertin ulur në piano, ku interpretoi "Three Times a Lady", por pak minuta më vonë u largua nga skena. Pas rreth 40 minutash pritjeje, organizatorët njoftuan anulimin e koncertit.
Mjekët i rekomanduan artistit të pushonte për t'u rikuperuar plotësisht. Deri tani nuk janë dhënë informacione të tjera mbi shkakun e problemit shëndetësor, ndërsa Richie ka siguruar fansat se është në gjendje të mirë dhe se do të rikthehet së shpejti në skenë.


