Sulme të reja ruse në Kiev, të paktën 22 të vr*rë para samitit të NATO-s!

Sulme të reja ruse në Kiev, të paktën 22 të vr*rë

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një vale të re bombardimesh ruse që goditën Kievin dhe zonat përreth gjatë natës, vetëm pak orë përpara nisjes së samitit të NATO-s në Turqi, ku lufta në Ukrainë pritet të jetë tema kryesore e diskutimeve.

Sipas autoriteteve ukrainase, 15 persona u vranë në kryeqytetin Kiev, ndërsa shtatë të tjerë humbën jetën në qytetin Vishnevo, në periferi të kryeqytetit. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënoja, pasi ka ende persona të zhdukur.Gazetarët e AFP-së raportuan se ekipet e emergjencës nxorën trupa nga rrënojat e një pallati tetëkatësh në Kiev, ndërsa britmat e familjarëve dëgjoheshin në vendngjarje.

Autoritetet thanë se rreth 30 ndërtesa u dëmtuan nga sulmet, mes tyre edhe komplekse banimi në lagjet Poznyaki dhe Podilskyi. Një banore, 36-vjeçarja Anna Misko, tha se ajo dhe fëmija i saj i shpëtuan sulmit pasi zbritën në strehim sapo ranë alarmet ajrore.
Në qytetin Vishnevo, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet mes rrënojave, ndërsa më shumë se 600 banorë janë evakuuar për shkak të rrezikut nga pajisje shpërthyese të pashpërthyera.

Nga ana tjetër, ushtria ruse deklaroi se sulmet ishin një kundërpërgjigje ndaj operacioneve ukrainase në territorin rus dhe këmbënguli se objektivat ishin infrastruktura ushtarake dhe energjetike.

Sipas mbrojtjes ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjatë natës 68 raketa dhe 351 dronë, nga të cilët 37 raketa dhe 326 dronë u neutralizuan.

Sulmet ndodhën në prag të samitit të NATO-s në Turqi, ku presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump, me shpresën për t’i dhënë një shtysë të re përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, e cila vazhdon prej më shumë se katër vjetësh.

EMISIONET