Pse gratë me ADHD e kanë më të vështirë para menstruacioneve? Studimi "hedh dritë" mbi rolin e hormoneve

Një studim i ri ka sjellë të dhëna që ndihmojnë në shpjegimin e një fenomeni që shumë gra me ADHD e përjetojnë çdo muaj. Sipas kërkimit, ndryshimet hormonale gjatë ciklit menstrual mund të ndikojnë në përkeqësimin e simptomave, duke e bërë më të vështirë përqendrimin, organizimin dhe menaxhimin e aktiviteteve të përditshme.
Studimi u realizua nga studiues të King's College London dhe Queen Mary University of London, të cilët ndoqën 50 gra me ADHD që ishin në trajtim me medikamente.
Pjesëmarrëset regjistruan ciklin menstrual, ndryshimet në simptomat dhe ndikimin që këto kishin në jetën e tyre të përditshme.
Rezultatet tregojnë se ditët para menstruacioneve shoqërohen shpesh me më shumë shpërqendrim, ankth, vështirësi në fokusim dhe ulje të efektit të rutinave që zakonisht i ndihmojnë në organizimin e ditës.
Një nga pjesëmarrëset, Layla, përshkroi se edhe përdorimi i alarmeve në telefon, që zakonisht e ndihmon të organizojë detyrat, bëhet më pak efektiv gjatë kësaj periudhe. Ajo e krahasoi këtë gjendje me përpjekjen për të kontrolluar një top që vazhdon të rrotullohet pa pushim.
Sipas studiuesve, një rol të rëndësishëm luan ulja e nivelit të estrogjenit para menstruacioneve. Rënia e këtij hormoni ndikon edhe te dopamina, një neurotransmetues i lidhur me përqendrimin, motivimin dhe kontrollin e impulsivitetit. Për këtë arsye, simptomat e ADHD-së mund të bëhen më të forta dhe në disa raste mund të ndryshojë edhe efekti i medikamenteve.
Autorët e studimit e konsiderojnë këtë një hap të rëndësishëm drejt kuptimit më të mirë të mënyrës se si ADHD ndikon te gratë. Për shumë vite, kjo fushë ka marrë pak vëmendje, pasi ADHD është konsideruar kryesisht si një çrregullim që prek djemtë.
Ekspertët besojnë se këto gjetje mund të ndihmojnë në krijimin e trajtimeve më të personalizuara për gratë me ADHD, duke marrë parasysh edhe ndikimin e ndryshimeve hormonale.
Ata rekomandojnë që gratë që vërejnë ndryshime të përsëritura në përqendrim, humor ose efektin e trajtimit gjatë fazave të caktuara të ciklit menstrual të konsultohen me mjekun. Mbajtja e një ditari për simptomat dhe ciklin mund të ndihmojë në identifikimin e modeleve dhe përshtatjen e trajtimit kur është e nevojshme.


