FOTO/ Festivali “Shpirti i Ballkanit” bashkon kulturat e rajonit në Korçë

FOTO/ Festivali “Shpirti i Ballkanit” bashkon kulturat e rajonit

Korça është kthyer në qendrën e kulturës dhe traditave ballkanike me çeljen e festivalit ndërkombëtar “Shpirti i Ballkanit”, që ka mbledhur artistë dhe grupe folklorike nga vende të ndryshme të rajonit.

Nata e parë e festivalit u shoqërua me paradën e grupeve pjesëmarrëse në rrugët e qytetit dhe me një program artistik që solli ngjyra, muzikë dhe valle tradicionale, duke krijuar një atmosferë festive për banorët dhe vizitorët.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo vlerësoi pjesëmarrjen e artistëve dhe kontributin e tyre në promovimin e kulturës ballkanike.

“Qyteti u mbush me ngjyra dhe energjinë e artistëve që e kthyen këtë mbrëmje në një festë të vërtetë për banorët dhe vizitorët. Mirënjohje për të gjitha grupet pjesëmarrëse që me talentin, profesionalizmin dhe pasionin e tyre i dhanë Korçës edhe më shumë bukuri, duke sjellë në skenë frymën autentike të Ballkanit”, u shpreh Filo.

Festivali synon të forcojë shkëmbimin kulturor mes vendeve të rajonit dhe të promovojë Korçën si një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor. Ndërkohë aktivitetet do të vijojnë edhe në netët në vijim me performanca artistike dhe folklorike në qendër të qytetit.

EMISIONET