VIDEO/ Shkodra mikpret 30 ambasadorë të huaj, njihen me historinë, traditat dhe trashëgiminë e qytetit
Shkodra mikpriti 30 ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, në një vizitë të veçantë kushtuar historisë, kulturës dhe potencialit të qytetit tonë.
Diplomatët e huaj, të shoqëruar nga kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci së bashku me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vizituan Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, një nga pasuritë më të çmuara të identitetit kulturor të Shkodrës dhe Shqipërisë, ku të ftuarit u njohën me historinë, traditat dhe trashëgiminë e këtij qyteti.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi, Luçjan Bedeni tha se gjatë vizitës në këtë muze, ambasadorë u njohën nga afër me pasurinë e jashtëzakonshme të arkivit “Marubi”, si dhe me ekspozitën më të fundit të hapur, atë të fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili.
Gjatë kësaj vizite, diplomatët patën mundësinë të eksplorojnë koleksionet unike fotografike, të cilat pasqyrojnë jetën, traditat dhe zhvillimet shoqërore ndër dekada, duke e kthyer muzeun në një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së tashmes.
Bedeni tha se “kjo vizitë përbën një vlerësim të rëndësishëm për rolin e Muzeut “Marubi” në promovimin e kulturës shqiptare dhe një moment të çmuar për forcimin e dialogut kulturor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”.
Vizita vijoi në Pedonalen “Kolë Idromeno” dhe në Shirokë, buzë liqenit, duke prezantuar bukuritë natyrore, vlerat historike dhe potencialin turistik të Shkodrës.
Beci tha se “prania e përfaqësuesve të 30 vendeve është një vlerësim për qytetin tonë dhe një mundësi e rëndësishme për të forcuar miqësinë, bashkëpunimin dhe promovimin e Shkodrës si një urë lidhëse e Shqipërisë me Evropën, në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian”.


