Dita Botërore e Refugjatëve, UNHCR mobilizon të rinjtë për të qëndruar përkrah tyre

Dita Botërore e Refugjatëve, UNHCR mobilizon të rinjtë

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, që shënohet më 20 qershor, UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatët, po u bën thirrje brezave të rinj të mbrojnë të drejtën për azil si një e mirë e përbashkët globale dhe si një nga shtyllat themelore të mbrojtjes ndërkombëtare.

Me temën “Derisa të gjithë të jenë të sigurt”, fushata e këtij viti synon të rikthejë vëmendjen te rëndësia e së drejtës për të kërkuar siguri, në një kohë kur kjo e drejtë po përballet me sfida dhe presione në rritje në shumë vende të botës.

UNHCR thekson se, 75 vjet pas miratimit të Konventës së vitit 1951 për Refugjatët, parimi themelor mbi të cilin ajo mbështetet mbetet po aq aktual: e drejta për të kërkuar mbrojtje dhe siguri u përket të gjithëve.

“Derisa të gjithë të jenë të sigurt” i drejtohet veçanërisht të rinjve, të cilët shpesh udhëhiqen nga vlerat e drejtësisë sociale dhe solidaritetit. Fushata i fton ata ta shohin azilin jo si një çështje të largët, por si një mekanizëm mbrojtës që mund të jetë jetik për këdo në momente krize.

Komisioneri i Lartë i UNHCR-së, Barham Salih, kujtoi se pas Luftës së Dytë Botërore bota ndërtoi një sistem mbrojtjeje për njerëzit që detyrohen të largohen nga lufta, konflikti apo persekutimi.

“Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, bota dha një premtim themelor: kushdo që detyrohet të largohet nga lufta, konflikti apo persekutimi ka të drejtë të gjejë siguri dhe mbrojtje. Ky premtim është universal dhe është ndërtuar për të gjitha brezat”, u shpreh Salih.

Fushata synon gjithashtu të sfidojë stereotipet ndaj refugjatëve dhe të nxisë një kuptim më të gjerë të rëndësisë së azilit si një mjet mbrojtjeje për njerëzit që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në këtë kuadër, UNHCR mbështet zgjerimin e mundësive për kthim vullnetar, rivendosje në vende të treta, si dhe akses më të madh në punësim, arsim dhe shërbime shëndetësore, me qëllim që refugjatët të mund të rindërtojnë jetën e tyre me dinjitet.

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë e UNHCR-së, Maya Ghazal, refugjatja e parë siriane që u bë pilote, theksoi rëndësinë e solidaritetit njerëzor dhe mbështetjes ndaj personave të zhvendosur me forcë.

Si pjesë e fushatës globale, UNHCR do të publikojë në platformat digjitale histori refugjatësh, materiale edukative dhe iniciativa ndërgjegjësuese për të ndihmuar të rinjtë të kuptojnë dhe të mbështesin më mirë të drejtën për të kërkuar mbrojtje.

UNHCR u bën thirrje të rinjve, krijuesve të përmbajtjeve dhe liderëve të komuniteteve në mbarë botën të bashkohen në mbrojtje të së drejtës për siguri dhe të kontribuojnë në mbajtjen gjallë të këtij premtimi universal për të gjithë.

EMISIONET