Ky vend i jep fund debatit për fronin…refuzon mundësinë e një perandoreshe!

Parlamenti japonez ka përfunduar një debat njëvjeçar mbi të ardhmen e Fronit të Krizantemës, duke vendosur të ruajë rregullin e trashëgimisë vetëm për pasardhësit meshkuj të linjës atërore. Vendimi vjen pavarësisht mbështetjes së gjerë në opinionin publik për mundësinë që një grua të mund të trashëgojë fronin perandorak. Reforma e re nuk lejon një ndryshim të tillë, por synon të adresojë krizën e mungesës së trashëgimtarëve në familjen perandorake.
Ligji i ri parashikon që të afërm të tjerë meshkuj mbi moshën 15 vjeç mund të rikthehen në familjen perandorake përmes birësimit, nëse janë të pamartuar. Gjithashtu, princeshat do të mund të ruajnë statusin mbretëror edhe pas martesës me persona jashtë familjes perandorake, megjithëse bashkëshortët dhe fëmijët e tyre nuk do të konsiderohen anëtarë të familjes perandorake.
Kriza e trashëgimisë lidhet me numrin e kufizuar të anëtarëve meshkuj të familjes perandorake. Nga 16 anëtarë të rritur të familjes, vetëm pesë janë burra, ndërsa aktualisht nuk ka fëmijë të vegjël që mund të sigurojnë vazhdimësinë e linjës.
Trashëgimtari kryesor mbetet princi 19-vjeçar Hisahito, nipi i perandorit dhe djali i parë mashkull i lindur në familjen perandorake japoneze pas katër dekadash. Nëse ai nuk do të ketë një djalë, rregullat aktuale mund të çojnë në fundin e linjës së trashëgimisë mashkullore.
Vendimi ka shkaktuar debate, pasi u miratua nga qeveria e kryeministres Sanae Takaichi, gruaja e parë që ka drejtuar qeverinë japoneze. Konservatorët mbrojnë idenë se linja mashkullore është themeli i legjitimitetit të monarkisë, ndërsa kritikët argumentojnë se reforma nuk pasqyron dëshirën e shumicës së qytetarëve japonezë.


