KONGRESI “I TË BUKURËS”/ Bashkon profesionistët e estetikës, kozmetologjisë dhe artit trupor

Për dy ditë me radhë, Tirana u kthye në qendrën e profesionistëve të estetikës, kozmetologjisë dhe artit trupor, në kuadër të Kongresit të Katërt të Estetikës së Avancuar dhe Kozmetologjisë, organizuar nga Shoqata e Profesionistëve të Përkujdesit dhe Artit Trupor.

Presidenti I shoqatës,  Ilir Tafaj, vlerësoi rëndësinë e zhvillimit profesional dhe harmonizimit të standardeve të sektorit me praktikat më të mira europiane.

Aktiviteti mblodhi ekspertë, përfaqësues institucionesh, partnerë ndërkombëtarë dhe profesionistë të industrisë nga Shqipëria dhe vende të tjera, për të diskutuar mbi progresin, arritjet dhe risitë më të fundit në fushën e estetikës, përkujdesit dhe artit trupor.

Zëvendës Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, shprehu mbështetjen për profesionistët e rinj të këtij sektori.

Në ditën e parë të kongresit u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së diplomave “Mjeshtër” për 35 profesionistë të sektorit, të certifikuar sipas standardeve gjermane, nën kujdesin e Dhomës së Zejeve Koblenz në Gjermani dhe të Constanze Kuesel, drejtoreshë ndërkombëtare e këtij institucioni.

“Ju dëshmuat aftësitë tuaja profesionale dhe fituat titullin ‘Mjeshtër’. Keni përvetësuar njohuri të rëndësishme që do t’ju ndihmojnë të kontribuoni në këtë fushë, si dhe keni mësuar si të menaxhoni një biznes.”

Gjatë dy ditëve të  kongresit të Estetikës së Avancuar dhe Kozmetologjisë pjesëmarrësit ndoqën një sërë sesionesh praktike dhe demonstrimesh profesionale nga emra të njohur të industrisë ndërkombëtare, të fokusuara në tendencat më të reja të stilimit të flokëve, make-up-it profesional, tatuazhit estetik, trajtimeve inovative dhe produkteve të avancuara për kujdesin e lëkurës.

 

EMISIONET