Konfirmohet shkaku i vdekjes së legjendës së WWE-së!

Hulk Hogan ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrore, sipas raportit përfundimtar të publikuar nga autoritetet në Clearwater, duke mbyllur zyrtarisht hetimin mbi vdekjen e legjendës së mundjes profesionale.
Dokumenti prej 72 faqesh përfshin dëshmi të personave të pranishëm, të dhëna mjekësore, pamje nga kamerat e sigurisë dhe inspektimin e trupit. Hetuesit arritën në përfundimin se nuk ekziston asnjë provë që sugjeron përfshirje kriminale apo rrethana të dyshimta në vdekjen e ikonës së WWE-së, emri i vërtetë i së cilës ishte Terry Bollea.
“Nuk ka asnjë provë që tregon se vdekja e Terry Bollea ishte diçka tjetër përveçse natyrale. Gjatë hetimit nuk u gjetën elementë që sugjerojnë vepër penale. Çështja konsiderohet e mbyllur dhe e zgjidhur”, thuhet në raport.
Sipas dokumenteve hetimore, Hogan kishte vuajtur nga disa probleme serioze shëndetësore në javët para vdekjes, përfshirë leuçeminë, aritminë kardiake, pneumoninë dhe insuficiencën renale. Ai kishte kaluar gjithashtu disa operacione dhe trajtime spitalore gjatë viteve të fundit.
Në momentet e fundit të jetës, pranë tij ndodheshin bashkëshortja e tij, Sky Daily Hogan, një infermiere kujdestare dhe një terapiste okupacionale, të cilat kryen manovrat e reanimimit deri në mbërritjen e ekipit mjekësor.
Megjithëse fillimisht u ngritën dyshime se vdekja mund të lidhej me komplikacione nga një operacion i mëparshëm, këto pretendime u hodhën poshtë më vonë. Një autopsi private e financuar nga familja konfirmoi përfundimisht se Hogan pësoi një atak në zemër dhe nuk zbuloi asnjë element traumatik apo toksikologjik që mund të kishte ndikuar në humbjen e jetës së tij.
Hulk Hogan mbetet një nga figurat më ikonike në historinë e mundjes profesionale dhe një nga emrat që transformoi WWE-në në një fenomen global të sportit dhe argëtimit.


