Nis botërori, ja rekordet e regjistruara në historinë e Kupave të Botës, që ende nuk janë “thyer”

Kupa e Botës nuk është vetëm skena ku kurorëzohen kampionët, por edhe arena ku lindin dhe thyhen rekordet më të jashtëzakonshme të futbollit. Edhe këtë herë, shumë sy do të jenë të drejtuar te shifrat historike që mund të rishkruhen gjatë turneut.
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo hyjnë në histori si futbollistët me më shumë pjesëmarrje në Botëror, plot gjashtë edicione secili. Argjentinasi mban gjithashtu rekordin e minutave të luajtura, një arritje që duket e vështirë të rrezikohet në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, rekordi i golave në historinë e Kupës së Botës, që mbahet nga Miroslav Klose me 16 realizime, duket më i kërcënuar se kurrë. Lionel Messi dhe veçanërisht Kylian Mbappé janë kandidatët kryesorë për t’iu afruar ose edhe për ta kaluar këtë shifër.
Ka rekorde që vazhdojnë të sfidojnë kohën. Francezi Just Fontaine mbetet i paprekshëm me 13 gola të shënuar në një edicion të vetëm të Botërorit, ndërsa legjenda braziliane Pelé vazhdon të jetë futbollisti i vetëm që ka fituar tre Kupa Bote.
Cristiano Ronaldo kryeson edhe në një tjetër statistikë të veçantë, duke shënuar gol në pesë Botërorë të ndryshëm, ndërsa rekordi i pesë golave në një ndeshje të vetme, i vendosur nga Oleg Salenko në vitin 1994, mbetet një nga arritjet më të rralla në historinë e turneut.
Po aq i vështirë për t’u thyer duket edhe rekordi i golit më të shpejtë, i realizuar nga Hakan Şükür pas vetëm 11 sekondash në Botërorin e vitit 2002.
Botërori ka treguar gjithmonë se është vendi ku historia shkruhet dhe rishkruhet. Disa rekorde mund të “thyhen”, të tjera mund të mbeten të paprekshme, por një gjë është e sigurt: edhe këtë verë futbolli botëror do të dhurojë emocione dhe momente që do të mbeten gjatë në kujtesën e tifozëve./BW


