Këngët komerciale si fast-food, të shijon si ushqimi, por pastaj e harron shumë shpejt
Jemi zyrtarisht në sezonin e verës si edhe në sezonin e hiteve muzikore. Por sa cilësore janë këngët që publikohen dita ditës dhe sa komercial është tregu muzikor shqiptar.
Këngëtarja, Fitnete Tuda e ftuar në emisionin "Ditë e Re" në studion e Rtv Ora me moderator Arjon Muça, shprehet se pavarësisht tregut komercial, muzika cilësore dhe vlerat nuk humbasin dhe se publiku e identifikon muzikën e mirë.

Fitnete Tuda e krahason muzikën e mirë me verën, sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë rritet vlera.
"Në verë dalin shumë këngë të reja, ndërsa sa më përket mua unë jam më ndryshe. Kam krijuar më pak. Këngët që i krijoj, i krijoj për kënaqësinë time. Jetojmë në një kohë moderne, në një kohë ku gjithçka bëhet për tu konsumuar, komerciale. Dhe muzika është si fast food, të shijon, si ai ushqimi , por pastaj e harron shumë shpejt. Kënga e mirë është si vera, sa më gjatë që kalon koha, të shijon më shumë.
Sot kemi më shumë sasi e cilësi, megjithatë ka vlera dhe artistë që nuk bëjnë muzike fast food. Vlerat nuk harrohen. Fakti komercial është shumë i pranishëm edhe në muzikë.Muzika ka vend për të gjithë artistët dhe padyshim publiku e e gjen atë që do."
Së fundmi Fitnete ka publikuar këngën e saj të fundit në bashkëpunim me të birin dhe thotë se ideja e këngës lindi gjatë periudhës së karantinës. Tuda pohon se bën muzikë për kënaqësi shpirtërore, pasi profesion të parë ka gazetarinë.
"Kënga ime e fundit ishte një duet me djalin tim në Këngën Magjike, 'Kur buzëqesh'.Në fakt djali kishte shumë dilema, herë thoshte 'mami më pëlqen kënga' herë thoshte 'jo nuk e këndoj'. Kënga lindi gjatë pandemisë, ishte si nevojë e brendshme e imja shpirtërore për të krijuar. Ishte situata shume e vështirë dhe e përjetova karantinën si krijuese, artiste.
Kjo është një këngë për jetën, familjen, dashurinë, që janë vlera të përjetshme. Unë muzikën e bëj për kënaqësinë time shpirtërore, e bëj si profesion të dytë, pasi profesion të parë kam gazetarinë", shprehet Tuda në studion e Rtv Ora.


