Charles III dhe Camilla nuk do të banojnë më në Buckingham Palace

Mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla nuk do ta kenë më Buckingham Palace si rezidencën e tyre kryesore, duke i dhënë fund një tradite që ka zgjatur pothuajse dy shekuj.
Vendimi, i marrë pas javësh diskutimesh dhe i ndikuar edhe nga punimet e gjera restauruese në pallat, synon të rrisë aksesin e publikut në simbolin më të njohur të monarkisë britanike, sipas tgcom24.
Buckingham Palace ka qenë rezidenca zyrtare e monarkëve britanikë që nga viti 1837.
Fillimisht i ndërtuar në vitin 1703 si një rezidencë private për Dukën e Buckinghamit, ai u zgjerua ndër vite deri sa u shndërrua në kompleksin madhështor me 775 dhoma që njihet sot.
Sipas vendimit të ri, Charles III dhe Camilla do të vendosen në Clarence House, rezidenca historike pranë Buckingham Palace, ku mbreti ka jetuar që prej vitit 2003.
Buckingham Palace do të vazhdojë të shërbejë si rezidencë zyrtare për pritje shtetërore, ceremoni dhe aktivitete të tjera të kurorës.

Një zëdhënës i Pallatit Mbretëror bëri të ditur se vendimi është marrë për të rritur mundësitë e vizitave publike.
Kur monarku ndodhet në Buckingham Palace, masat e sigurisë kufizojnë numrin e vizitorëve dhe zonat e aksesueshme, ndërsa përdorimi i tij vetëm për aktivitete zyrtare do ta bëjë më të lehtë hapjen e pallatit për turistët.
Pavarësisht zhvendosjes, Charles dhe Camilla do të vazhdojnë të kenë apartamentet e tyre private në Buckingham Palace, ku do të mund të qëndrojnë gjatë angazhimeve zyrtare ose kur ta konsiderojnë të nevojshme.
Burime nga Pallati theksojnë se ky nuk është një largim përfundimtar.
Në të ardhmen, mbreti dhe mbretëresha mund të vendosin të rikthehen për të banuar më rregullisht në Buckingham Palace, pasi të përfundojnë punimet e restaurimit dhe të rivlerësohen nevojat e familjes mbretërore.


