Brazili ankohet në FIFA për gjyqtarin pas fitores ndaj Skocisë: Mos e caktoni më…

Brazili ankohet në FIFA për gjyqtarin pas fitores ndaj Skocisë:

Pavarësisht fitores 3-0 ndaj Skocisë në Kupën e Botës, Brazili nuk ka mbetur i kënaqur me arbitrimin e sfidës dhe ka vendosur të reagojë zyrtarisht ndaj FIFA-s.

Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) ka depozituar një ankesë, duke kundërshtuar anulimin e golit të dytë të Vinicius Junior dhe duke kërkuar që arbitri meksikan Cesar Ramos të mos caktohet më në ndeshjet e kombëtares braziliane.

Debati lindi në minutën e 21-të, kur Vinicius realizoi për herë të dytë pas një ndërhyrjeje ndaj mbrojtësit Jack Hendry. Edhe pse goli u pranua fillimisht, VAR-i e thirri arbitrin për rishikim, i cili më pas e anuloi për një faull të pretenduar në nisje të aksionit.

Sipas drejtuesve brazilianë, ndërhyrja e VAR-it ishte e pajustifikuar, pasi nuk ekzistonte një “gabim i qartë dhe evident” që të justifikonte ndryshimin e vendimit në fushë.

Presidenti i CBF-së, Samir Xaud, i ka dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ku shpreh shqetësimin për mungesën e konsistencës në gjykim gjatë turneut dhe kërkon që Cesar Ramos të mos arbitrojë më ndeshje të Brazilit.

Në dokument, federata braziliane kujton edhe precedentë të mëparshëm me të njëjtin arbitër, duke përmendur ndeshjen ndaj Zvicrës në Kupën e Botës 2018, ku, sipas saj, Brazili u dëmtua nga vendime të diskutueshme.

CBF argumenton gjithashtu se anulimi i golit ishte aq i papritur, sa edhe vetë futbollistët skocezë nuk prisnin ndërhyrjen e VAR-it, çka sipas saj e bën vendimin edhe më të debatueshëm.

EMISIONET