Sulm kibernetik ndaj Trenitalia-s, vidhen të dhënat personale të pasagjerëve

Një sulm kibernetik ka goditur kompaninë hekurudhore italiane Trenitalia, duke çuar në akses të paautorizuar të të dhënave personale të një pjese të pasagjerëve. Lajmi është konfirmuar nga vetë kompania, e cila bën të ditur se incidenti lidhet me informacionet e biletave të udhëtimit.
Sipas Trenitalia-s, sulmi është raportuar që në tetor të vitit 2025, ndërsa vetëm pas analizave të detajuara teknike është bërë e mundur identifikimi i personave të prekur dhe njoftimi i tyre.
Kompania sqaron se hakerët kanë mundur të aksesojnë të dhëna si emrin dhe mbiemrin e pasagjerëve, destinacionin, datën dhe orën e udhëtimit, si edhe informacione të tjera personale, përfshirë adresën e e-mailit, numrin e telefonit, të dhënat e dokumentit të identitetit dhe kodin e kartës së besnikërisë.
Megjithatë, Trenitalia siguron se nuk janë komprometuar kredencialet e hyrjes në llogaritë e përdoruesve dhe as të dhënat bankare, si numrat e kartave të pagesës, data e skadencës apo kodi i sigurisë.
Për ngjarjen ka nisur hetim edhe Prokuroria e Romës, e cila ka marrë një raport paraprak nga Policia Postare. Ndërkohë, ekspertët e Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike kanë bashkëpunuar me teknikët e kompanisë për të identifikuar dobësitë e sistemit dhe për të rikthyer sigurinë e platformave të prekura.
Pas incidentit, Trenitalia ka njoftuar Autoritetin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ekipin kombëtar të reagimit ndaj incidenteve kibernetike (CSIRT Italia) dhe Prokurorinë e Romës.
Kompania u ka bërë thirrje pasagjerëve të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve apo e-maileve të dyshimta që mund të lidhen me udhëtimet e tyre.
“Ekziston rreziku që qytetarët të marrin komunikime mashtruese që kërkojnë të dhëna personale ose financiare apo përmbajnë lidhje dhe bashkëngjitje të dyshimta. Në rast dyshimi, verifikoni gjithmonë identitetin e dërguesit“, thuhet në njoftimin e Trenitalia-s.
Ngjarja vjen në një moment të vështirë për hekurudhat italiane, të përballura prej muajsh me kritika për vonesa të shumta, probleme teknike dhe punime në rrjetin hekurudhor.
Sulmi kibernetik ka shkaktuar edhe reagime politike. Deputetë dhe senatorë të opozitës kanë kërkuar që ministri italian i Transportit, Matteo Salvini, të raportojë në Parlament dhe të sqarojë se si ishte e mundur që sistemi informatik i kompanisë të cenohej, duke vënë në rrezik të dhënat personale të miliona pasagjerëve.
Edhe shoqata italiane e konsumatorëve, Codacons, ka shprehur shqetësim, duke paralajmëruar se të dhënat e vjedhura mund të përdoren për sulme të tipit “phishing” dhe mashtrime të synuara ndaj udhëtarëve.


