Shfaqja në YouTube i kushtoi lirinë/ Arrestohet komediani turk Deniz Göktaş pas akuzave për fyerje ndaj Erdogan-it

Komediani i njohur turk, Deniz Göktaş, është arrestuar në Stamboll nën akuza për nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë, si dhe për fyerje të presidentit Recep Tayyip Erdogan gjatë një shfaqjeje stand-up të publikuar në YouTube.
Sipas autoriteteve, Göktaş është ndaluar në aeroportin e Stambollit teksa kthehej nga pushimet dhe më pas është dërguar në paraburgim pas marrjes në pyetje nga prokurorët.
Rasti lidhet me një performancë të publikuar më 24 qershor në YouTube, e cila ka mbledhur miliona shikime dhe ku janë përfshirë referenca ndaj presidentit Erdogan dhe teksteve fetare.
Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit ka bërë me dije se për përmbajtjen e videos janë dorëzuar dhjetëra ankesa nga qytetarë, ndërsa institucionet fetare në vend e kanë kritikuar publikisht shfaqjen, duke e cilësuar të papranueshme talljen me vlera fetare.
Në dëshminë e tij, komediani ka mohuar qëllimin për të ofenduar apo nxitur urrejtje, duke thënë se materiali i tij është interpretuar në kontekstin e humorit dhe se pjesë të tij janë përdorur në shfaqje për vite me radhë në Turqi.
Arrestimi i tij ka shkaktuar reagime dhe protesta nga mbështetësit, të cilët janë mbledhur jashtë gjykatës në Stamboll. Pamjet e tij të prangosur janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Rasti vjen në një kohë kur në Turqi janë shtuar ndjeshëm masat ndaj kritikëve të qeverisë, përfshirë gazetarë, aktivistë dhe figura publike.


