Reforma zgjedhore në ngërç, Meta: Reforma zgjedhore në ngërç, rrezikohet sërish shtyrja e afateve!
Ekspertja për çështjet zgjedhore, Gerta Meta, ka ngritur shqetësime për ecurinë e reformës zgjedhore në Shqipëri, duke theksuar se procesi po vijon të mbetet i papërfunduar dhe i varur nga vullneti politik.
Në një intervistë për “Ora News”, Meta u shpreh se reforma zgjedhore vijon të jetë një “premtim i pambajtur” prej vitesh nga forcat politike, pavarësisht diskutimeve të shumta dhe dokumenteve të dakorduara ndër vite.
Sipas saj, mungesa e një kodi zgjedhor afatgjatë dhe vizionar ka bërë që procesi të rikthehet vazhdimisht në pikën zero sa herë afrohen zgjedhjet.
Meta theksoi se Shqipëria ndodhet sërish në një ngërç institucional, ndërsa afati i vendosur për përfundimin e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore në fund të korrikut rrezikon të mos përmbushet.
Ajo shtoi se ka gjasa që të kërkohet një shtyrje e re e mandatit të komisionit, duke e zhvendosur përmbylljen e reformës drejt muajit shtator.
Në deklaratën e saj, Meta përmendi edhe shqetësimet e ngritura nga kryetari i Ilirjan Celibashi, i cili ka kërkuar respektimin e afateve dhe ka dhënë rekomandime për të garantuar një proces zgjedhor të rregullt dhe sipas standardeve demokratike.
Sipas ekspertes, përgjegjësia kryesore për zhbllokimin e reformës mbetet tek klasa politike, e cila duhet të japë kontribut real për një reformë të qëndrueshme dhe jo afatshkurtër, që të mos varet nga ciklet zgjedhore.
Meta nënvizoi se vetëm përmes një konsensusi të gjerë mund të garantohet një proces zgjedhor i lirë, i ndershëm dhe demokratik në Shqipëri.
Gerta Meta: Është shumë e vërtetë që bisedat tona kanë qenë të mirëfillta edhe konkrete në lidhje me idenë se çfarë produkti do të sjelli reforma zgjedhore. Pasi e kemi diskutuar, ë, për vite, që reforma zgjedhore vazhdon të jetë një premtim i pambajtur nga forcat politike në lidhje me atë dokumentin e dakordësuar për të pasur, si të thuash, një ligj të ri zgjedhor ose kod zgjedhor afatgjatë dhe vizionar, edhe mos të jetë peng i vullnetit të palëve politike.
Që sa herë jemi në procese zgjedhore, ne gjithmonë jemi përpara faktit të artikulimeve politike që do të bëhet një reformë e re zgjedhore. Kemi që nga viti 2012 që ne nuk, ë, kur them ne, ë, flitet që pesha më e madhe i shkon politikës në Shqipëri, e cila nuk po e finalizon dot, për arsyet të cilat ajo, i di vetw.
Dhe natyrisht është thënë dhe stërthënë edhe nga komuniteti ndërkombëtar që kur bëhet fjalë për reforma të mëdha dhe reforma që kanë kosto në jetën politike të vendit dhe specifikisht edhe votuesve në Shqipëri, është patjetër që politika tashmë e cila nuk është rishtazi aty, po është një politikë prej 36 vjetësh, dhe e di shumë mirë si të thuash atë merakun edhe porosinë që japin jo vetëm aktorët kombëtarë por edhe ata ndërkombëtarë që të bësh reforma të suksesshme dhe reforma të mëdha duhet patjetër që t'i japësh kohë qytetarëve këtu një vit përpara procesit zgjedhor që do të zhvillohet. Kështu që dhe ne jemi para një viti, vitin tjetër ne kemi zgjedhjet e radhës për qeverisjen vendore ose e thënë më thjeshtë, zgjedhjet që do të bëhen për kryetarët e rinj të bashkive dhe të këshillave bashkiakë.
Kështu që patjetër që ne kemi dhe një premtim tjetër nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili ka thënë që në fund të korrikut do të kishte një lloj produkti dhe le të themi që do të mbyllej me sukses, si të thuash, ajo pjesa e punës që reforma do të bënte për ta finalizuar. Si të thuash, të gjithë kontributin e anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, por shikojmë që përsëri jemi në një ngërç.
Përsëri nuk besoj që do të realizohet afati ku në fund të korrikut i mbaron mandati edhe Komisionit të Reformës Zgjedhore, dhe besoj që gjasat do të jenë që përsëri do të kërkohet një afat i ri për Komisionin e Reformës dhe do të shkohet drejt shtatorit pastaj, investimi i ri për të finalizuar të gjitha premtimet që kanë mbajtur.
Po, patjetër. Dhe ky është një shqetësim tjetër dhe alarmin më të madh, domethënë, jo vetëm ne si aktorë të cilët e monitorojmë zhvillimet politike, por natyrisht edhe në mënyrë të veçantë komisionin e reformës zgjedhore, e ka dhënë edhe në mënyrë të posaçme edhe kryetari i komisionit, kryekomisioneri i Komisionit të Zgjedhjeve zoti Ilirjan Celibashi, i cili ka vënë edhe afate dhe deadline.
Ka çuar dhe rekomandimet e veta si Komision Qendror i Zgjedhjeve për të ndihmuar komisionin e reformës zgjedhore që të jetë dhe të respektojë, si të thuash, afatet ligjore, që t'i jepet e gjithë koha në dispozicion pikërisht këtij institucioni që miradministron proceset zgjedhore në vend, dhe të jetë ajo suksesi dhe miradministrimi i procesit zgjedhor për të realizuar atë standardin e kërkuar që zgjedhjet të jenë të ndershme, të lira edhe demokratike.
Kështu që patjetër aktorët po flasin, por politika është ajo që rri në ngërç dhe politika është ajo që nuk e thotë fjalën e duhur për të realizuar edhe për të përmbushur, si të thuash, premtimet që u kanë dhënë qytetarëve dhe në mënyrë specifike dhe veçanërisht votuesve shqiptarë.
Megjithatë, pavarësisht se ne jemi më të lirshëm, le të themi, për të dhënë rekomandime dhe sugjerime, ndoshta bëjmë dhe kritika dashamirëse që të realizohet, si të thuash, edhe të gjithë përfaqësuesit e partive politike që janë në komisionin e reformës zgjedhore, të japin kontributin e tyre real edhe të drejtpërdrejtë për të realizuar pikërisht këtë reformë zgjedhore e cila mos jetë afatshkurtër, por është ajo që unë thashë.

