Mërtiri: Protesta qytetare, një nga zhvillimet më të rëndësishme të 35 viteve të fundit në Shqipëri!

Analisti Ergys Mërtiri, në një intervistë për “Ora News”, ka vlerësuar protestën e fundit qytetare si një nga zhvillimet më të rëndësishme të 35 viteve të fundit në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një lëvizje të depolitizuar dhe thellësisht qytetare.

Sipas Mërtirit, protesta ka nxjerrë në shesh një pjesë të shoqërisë që nuk ndikohet nga partitë politike dhe që kërkon ndryshim rrënjësor të sistemit politik në vend.

“Është një protestë që nuk kërkon thjesht zëvendësimin e një partie me një tjetër, por një transformim të thellë të politikës 35-vjeçare,” u shpreh ai, duke shtuar se pakënaqësia qytetare lidhet me mungesën e shpresës dhe emigrimin e vazhdueshëm.

Mërtiri kritikoi ashpër edhe mënyrën se si është trajtuar protesta nga politika, duke theksuar se ajo është përballur me sulme, teori konspirative dhe etiketime të ndryshme.

Sipas tij, këto reagime tregojnë “nivelin e ulët të politikës ekzistuese” dhe mungesën e përfaqësimit real të qytetarëve në institucionet aktuale.

Duke folur për përplasjet dhe episodet e dhunshme, Mërtiri u shpreh se ato nuk e përbëjnë thelbin e protestës, e cila sipas tij mbetet një formë e fortë e shprehjes qytetare.

Ai theksoi gjithashtu se problemi kryesor i politikës shqiptare është, sipas tij, dominimi i “kultit të individit” dhe servilizmit në karrierën politike.

Në përfundim, Mërtiri u shpreh se protesta duhet të jetë e hapur ndaj partive të reja politike dhe forcave anti-sistem, duke shtuar se një rol të rëndësishëm në këtë proces po luan edhe SPAK, të cilin e cilësoi si “aleat të protestës”.

Ergys Mërtiri: Gjëja më e bukur që ka ndodhur shqiptarëve këto 35 vite, është një protestë kryesisht qytetare, një protestë e cila ka zbrazur në shesh pakënaqësinë qytetare jopolitike, të depolitizuar. Ka zbrazur të themi ajkën e qytetarisë shqiptare, njerëz të cilët janë të painfektuar nga partitë apo nga interesa të caktuara të cilat gjithmonë kanë qenë problematike për vendin dhe mbi të gjitha ka zbrazur në shesh atë lloj qytetarie e cila është këmbëngulëse dhe vazhdon deri në fund, prej 32 ditësh tashmë, të kërkojë gjërat elementare që ky realitet politik të ndryshojë.

Pra është një protestë e cila kërkon jo thjesht ikjen e një partie dhe ardhjen e një tjetri, apo ikjen e dikujt, po kërkon ndryshim rrënjësor të politikës 35-vjeçare e cila e ka lënë vendin në këtë gjendje pakënaqësie të thellë ku njerëzit emigrojnë dhe ikin sepse s'jetojnë dot këtu, sepse nuk kanë shpresë këtu. Pra do të thotë që kjo protestë kërkon mbi të gjitha të sjellë shpresën në këtë vend, kërkon që njerëzit domethënë ta shohin të ardhmen këtu, mos ikin.

Dhe kjo për mua është gjëja më e bukur, është gjëja më e shëndetshme për këtë vend dhe është në turpin e atyre që e kanë sulmuar dhe e sulmojnë këtë protestë, qoftë nga ana e qeverisë, qoftë nga ana e opozitës, të cilët me teori konspirative, me fyerje, me ofendime, duke i gjetur njerëzve teori nga më të ndryshmet se paguhen këtu, janë të shtyrë nga ky, i shërbejnë atij apo janë të politizuar nga ky. Këto tregojnë ndyrësinë e politikës së vjetër, tregojnë banalitetin e politikës ekzistuese dhe kontrastin e thellë që ajo ka me qytetarinë e sotme, e cila i përgjigjet me meme, me humor, me fjali goditëse, këtij realiteti që prej 35 vitesh e mban vendin në kënetën ekzistuese.

  Po hedhja e vezëve është një gjë, unë nuk jam shumë dakord me këto, nuk ka nevojë as për vezë sepse, të themi, vetë protesta është, të themi, goditja më e thertë që i bëhet asaj politike, kështu që nuk ka nevojë. Ata janë të fëlliqur edhe kështu, domethënë, me kaq sa është bërë. Megjithatë, unë nuk e shoh si dhunë atë që është bërë aty dhe është e turpshme për këtë vend i cili i përgjigjet me kaq egërsi një qytetarie kaq të respektuar e kaq të vlerësuar. Patjetër pastaj, sigurisht që ky parlament nuk na përfaqëson, kjo nuk është thënë tashmë nga protesta, është thënë nga... është thënë nga shumë njerëz të cilët sigurisht që nuk ndjejnë përfaqësueshmëri tek ata individë që janë aty. Shumica e të cilëve janë injorantë, një pjesë janë hysmeqarë.

Shikoni, këtë e provon vetë mënyra se si sillen ata. Një pjesë mçefin kokën sepse e kuptojnë që nuk mund të përballen dot moralisht me protestën. Kurse një pjesë tjetër sulmojnë me paturpësi protestën duke treguar nivelin e lartë dhe të frikshëm të servilizmit që kanë. Pra, njerëz të cilët për llogari të shefit arrijnë dhe futen në betejë me qytetarët e ndershëm të këtij vendi me terma nga më absurdet, me gjuhë të ndyrë, me gjuhë fyese, me gjuhë konspirative, tregojnë nivelin e lartë të servilizmit që ushqen kjo politikë. Dhe në thelb, një politikë ku sundon fryma e njëshit, ku sundon autoriteti i njëshit, pra një politikë autoritariste, autokratike, një politikë e cila, flas këtu edhe për PD-në dhe për PS-në, në të cilën sundon kulti i individit, ku lideri është i paprekshëm, i pagabueshëm, lideri vetëm adhurohet.

Sigurisht që do prodhojë pastaj individë të tjerë të cilët janë thjesht satelitë të shefit dhe mbi të gjitha janë servilë. Servilizmi është mekanizmi për të bërë karrierë sot në politikën shqiptare. Dhe kjo duhet zhdukur, kjo duhet shkatërruar sepse kjo e ka sjellë vendin në këtë situatë, ku kemi vetëm Ramën e Berishën dhe të gjithë të tjerët që janë poshtë tyre janë figura të papëlqyera, të pamundshme për të qenë lider, që nuk kanë karizmë, që nuk kanë.

Po është e kuptueshme që edhe partitë e reja kanë pasur problemet e tyre, të cilat kanë prodhuar një lloj pakënaqësie apo pabesueshmërie tek një pjesë e elektoratit. Fakti që kanë sulmuar shpesh njëri-tjetrin. Nuk them se kanë mentalitet të vjetër sepse mentaliteti i të vjetërve është 'Zoti na ruajt', kështu që këta të rinjtë me gjithë problemet që kanë nuk janë në këtë nivel. Megjithatë politika i prish njerëzit nga ky aspekt sepse ke të bësh me pushtetin, ke të bësh me akumulim pushteti e të tjerë e të tjerë. Po kjo është temë më vete.

Gjithsesi, unë besoj që protesta duhet të jetë aleate me partitë e reja. Pavarësisht, unë nuk jam që t'iu lihet mikrofoni partive të reja, pra të mos politizohet protesta, megjithatë protesta i ka dyert të hapura dhe duhet t'i ketë për të gjithë anëtarët, sidomos të partive të reja sepse në thelb protesta është anti-sistem dhe partitë e reja janë dhe duhet të jenë anti-sistem. Dhe protesta duhet të jetë në aleancë me këdo që është anti-sistem. Kryesisht unë shoh dhe identifikoj në të gjithë faktorët institucionalë apo dhe politikë në Shqipëri, po kryesisht institucionalë, identifikoj SPAK-un si aleatin më të madh të protestës. SPAK-u po e ndihmon protestën.

EMISIONET