ZBULONI MOZAIKUN E LINIT! Revista “Journée Mondiale”: Thesar i trashëgimisë kulturore shqiptare

Lini po promovohet për një nga thesaret kulturore më të veçanta të Shqipërisë dhe një nga vendbanimet më të hershme në Evropë. Revista franceze “Journée Mondiale” i ka kushtuar një artikull mozaikut bizantin, duke e prezantuar zonën si destinacion tërheqës për turistët e huaj.

Gadishulli i Linit, në brigjet shqiptare të Liqenit të Ohrit, po promovohet si një nga zbulimet më të veçanta kulturore për turistët e huaj në vendin tonë, pas konfirmimit si një nga vendbanimet më të hershme të njohura në Evropë

Revista franceze “Journée Mondiale” i ka kushtuar një artikull të posaçëm mozaikut bizantin të Bazilikës Paleokristiane, duke e cilësuar atë si një thesar të rrallë që ndërthur historinë, artin dhe natyrën shqiptare.

Në shkrimin e saj, revista ndalet tek mozaikët e shekullit VI, të cilët zbulohen vetëm gjatë sezonit veror dhe ruhen me kujdes për pjesën tjetër të vitit.

Motivet me pallonj, peshq dhe hardhi, sipas revistës, ofrojnë një përvojë unike për vizitorët, që ecin mbi të njëjtën dysheme ku kanë shkelur të krishterët e hershëm, mes ngjyrave që kanë sfiduar 15 shekuj kohë.

“Journée Mondiale” e përshkruan Linin si një fshat peshkimi që shndërrohet përkohësisht në një destinacion pelegrinazhi arkeologjik, larg turizmit masiv.

Artikulli vë në dukje qetësinë e zonës, panoramën mbi ujërat bruz të Liqenit të Ohrit dhe kontrastin mes shtëpive tradicionale me çati të kuqe dhe trashëgimisë bizantine në majë të kodrës.

Përtej mozaikut, revista franceze promovon edhe përvojën e plotë që ofron zona: rrugicat prej guri, traditat e peshkimit, kuzhinën lokale me peshq endemikë dhe çmimet më të përballueshme krahasuar me destinacionet përreth liqenit.

Lini paraqitet si një cep autentik i Shqipërisë, ku historia, natyra dhe jeta lokale krijojnë një destinacion ideal për vizitorët që kërkojnë përvoja kulturore larg turmave.

Studiuesit zviceranë dhe shqiptarë kanë identifikuar pranë Linit një vendbanim prehistorik, që daton rreth 6 000–8 000 vjet para Krishtit — duke e bërë atë një nga vendet më të vjetra të banuara në kontinentin evropian dhe vendbanimin më të vjetër të dokumentuar të stilit palafit në Evropë.

EMISIONET