Vdekja e Paulin Prekës/ Rama: Na i fal lotët e dhimbjes ZOTNI, shembëlltyrë e njeriut që fali mirësi

Vdekja e Paulin Prekës/ Rama: Na i fal lotët e dhimbjes ZOTNI,

Ish-nënkryetari i Partisë Lëvizja Socialte për Integrim, Luan Rama, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të humorit shkodran, Paulin Preka.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Rama shkruan se Preka ishte shembëlltyrë e njerit që fali dashuri e mirësi, teksa shton se do mbetet modeli dhe referenca e njeriut artist dhe e artistit njeri.

Postimi i Luan Ramës

NA I FAL LOTËT E DHIMBJES

ZOTNI PAULIN PREKA !

Na ke mësuar të të duam me humorin tënd të fisëm zotni Paulin Preka, mishërim i mençurisë dhe qytetarisë unike shkodrane.

Na u bëre i dashur me praninë tënde përherë elegante, përmes artit të një cilësie të epërme, veti e artistëve të një lloji të veçantë që skenës shqiptare nuk i vijnë shpesh.

Ike për të qenë shembëlltyrë e njeriut që fali vetëm mirësi dhe dashuri.

Do të mbetesh modeli dhe referenca e njeriut artist dhe e artistit njeri, përmbledhur në fjalën magjike që në Shkodër merr vlerë dhe ngjyresë të veçantë: ZOTNI !

Na i fal lotët e dhimbjes zotni Paulin Preka!

Të ndrittë shpirti!

Mjeshtri i Madh i humorit shkodran dhe mbarëshqiptar, Paulin Preka, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.

Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.

 

EMISIONET