Meta për At Artur Liolin: Humbëm një shqiptar të madh dhe një udhëheqës të ndritur shpirtëror
Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta vlerësoi sot kontributin e At Arthur Liolin, i cili u nda nga jeta.
“Ndarja nga jeta e At Artur Liolin, Kryekancelarit të Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Ortodokse në Amerikë, është një humbje e madhe për familjen, për kishën ku shërbente, për komunitetin tonë të dashur në SHBA dhe për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Meta në mesazhin e tij.
Sipas Metës, At Artur Liolin kontribuoi me angazhim të palodhur patriotik për çështjen shqiptare, veçanërisht të Kosovës.
“Nxënës i Imzot Fan Nolit, ai ndoqi me përkushtim veprën e tij të ndritur, jo vetëm duke mbajtur gjallë traditën ortodokse shqiptare, por edhe duke kontribuar me angazhim të palodhur patriotik për çështjen shqiptare, veçanërisht të Kosovës. Humbëm një shqiptar të madh dhe një udhëheqës të ndritur shpirtëror, veprën e vyer të të cilit do ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje!”, thuhet në mesazhin e Metës.