Lutje në Shna Ndou për Mitrovicën/ Pelegrinë dhe besimtarë të të gjitha feve mblidhen në Kishën e Laçit
Lutje për të sjellë paqen në Mitrovicë nuk kanë munguar as në Kishën e Shna Ndout. Pelegrinët janë lutur që edhe ata të kthehen në normalitet. Në ceremonine e së martës së 13-të morën pjesë qindra besimtarë
13 qershori shënoi kulmin e pelegrinazhit në kishën e Shna Ndout.
Mijëra pelegrinë e besimtarë morën pjesë në ceremoni ku dhe u lutën në vendin e shenjtë.
Mbërritën jo vetëm nga qytetet e Shqipërisë, por edhe nga Kosova, të cilët bënë lutje për të sjellë paqe në Mitrovicën sot e shumë debatuar në nivelet më të larta të diplomacisë botërore.
“Vij nga Gjakova për t’u lutur tek Shenjti Shna Ndou. Dhe të na ndihmojë neve, Kosovën e sidomos Mitrovicën, atje ku po ndodhi shumë situata. Dhe lutemi për një jetë më të mirë dhe të lumtur”, tha besimtarja kosovare.
Edhe emigrantët u bënë pjesë e pelegrinazhit.
“Vij nga Zvicra, dhe kam ardhur këtu direkt për Shna Ndoun”, u shpreh besimtari.
Besimtarët e quajnë një ditë të shenjtë dhe Shna Ndoun mbrojtësin e tyre.
Ceremoninë e drejtoi Arqipeshkvi Metropolitan, Arjan Dodaj.
Ai shprehet se në këtë vend të shenjtë vijnë jo vetëm besimtarët katolikë.
Arjan Dodaj, Arqipeshkvi Metropolitan: “Është një ditë e bekuar. Ndër dekada dhe shekuj ky vend i dedikuar Shna Ndout ka mbledhur të gjithë popullin tonë, jo vetëm katolikët, por të çdo feje tjetër. Dhe sot kam nderin të kem pranë dhe Baba Mondin, Kryegjyshin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane”.
Baba Mondi, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane: “Patjetër që Shna Ndou është i shenjtë për të gjithë. Dhe pikërisht ngaqë është i shenjtë ai ka dhënë jetën për njerëzimin. Kështu që Shna Ndou e ka shndërruar këtë vend për të gjithë besimtarët, për t’iu ardhur në ndihmë në këto kohë të vështira siç jemi sot”.
Kisha daton prej vitit 1300 e ndërtuar nga fratët Françeskanë. Ajo u shkatërrua në vitin 1971 nga sistemi komunist i asaj kohe për t’u rindërtuar në vitin 1990.
Pelegrinazhi fokusohet me 13 të martat që lidhen pikërisht me vdekjen e shenjtorit, në nder të të cilit është ngritur edhe Kisha e Shna Ndout.