“Krejt e thirrin Rexhen” / Filmi shqiptar në Panoramën e Filmit të Maqedonisë së Veriut në Pekin

Filmi “Krejt e thirrin Rexhen”, me regji të Ibër Dearit, është përzgjedhur të marrë pjesë në Panoramën e Filmit të Maqedonisë së Veriut, që do të zhvillohet nga 5 deri më 14 qershor 2026 në Pekin, Kinë.
Eventi organizohet në bashkëpunim me institucione kulturore dhe kinematografike të Kinës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa shfaqjet do të mbahen në Dolby Cinema Beijing, një nga sallat më prestigjioze të kryeqytetit kinez.
Në këtë program do të prezantohen disa nga titujt më të njohur të kinemasë maqedonase, përfshirë “Honeyland”, “Before the Rain”, “DJ Ahmet”, “Jon Vardar vs the Galaxy”, “Pipi and Muto” dhe “Silent Cinema”, së bashku me filmin “Krejt e thirrin Rexhen”.
Pjesëmarrja e këtij filmi në Pekin konsiderohet një mundësi e rëndësishme për promovimin e kinemasë së rajonit para publikut kinez, duke e vendosur atë në një prej tregjeve më të mëdha filmike në botë.
Filmi, i cili ka tërhequr vëmendje në festivale ndërkombëtare dhe ka fituar çmime të ndryshme, vijon rrugëtimin e tij ndërkombëtar me këtë prezantim në kryeqytetin kinez. /kultplus


