Zbuloni çfarë tregon zgjimi në të njëjtën orë...

Zbuloni çfarë tregon zgjimi në të njëjtën

Zgjimi i përsëritur rreth orës 3 të mëngjesit mund të mos jetë thjesht një rastësi, por një shenjë që organizmi po reagon ndaj disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, paralajmërojnë ekspertët e ushqyerjes dhe gjumit.

Sipas nutricionistit Oliver Goble nga “Supply Life”, shumë njerëz e nënvlerësojnë ndjeshmërinë e gjumit ndaj stilit të jetesës dhe zakoneve të përditshme. Ai thekson se zgjimi në të njëjtën orë çdo natë mund të lidhet me stresin, luhatjet hormonale, sheqerin në gjak, si dhe me zakone të pashëndetshme të gjumit.

Shumë njerëz mendojnë se është thjesht fat i keq ose pjesë e moshës, por në realitet mund të jetë një sinjal i stresit të brendshëm në trup
-shpjegon ai.

Një nga shkaqet më të zakonshme është stresi i vazhdueshëm, i cili rrit nivelin e kortizolit dhe e mban trupin në gjendje vigjilence edhe gjatë natës. Kjo gjendje e pengon kalimin në fazat e thella të gjumit, duke e bërë zgjimin më të lehtë dhe më të shpeshtë.

Një tjetër faktor është konsumimi i alkoolit para gjumit. Edhe pse në fillim mund të krijojë ndjesi përgjumjeje, ai shpesh e fragmenton gjumin në orët e vona dhe ul cilësinë e tij, duke shkaktuar zgjime të shpeshta në mëngjesin e hershëm.

Kafeina gjithashtu luan rol të rëndësishëm. Sipas ekspertëve, ajo mund të qëndrojë në organizëm për orë të tëra dhe të ndikojë në gjumin edhe kur konsumohet në pasdite. Efekti ndryshon nga personi në person, por tek disa individë mund të jetë mjaft i fortë për të prishur ciklin e gjumit.

Edhe ushqimi i vonshëm në mbrëmje konsiderohet një faktor tjetër i mundshëm. Vaktet e rënda ose pikante para gjumit mund të shkaktojnë refluks, fryrje dhe parehati, duke e bërë më të vështirë qëndrimin në gjumë të pandërprerë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se zgjimi i rastësishëm gjatë natës është krejtësisht normal dhe nuk përbën shqetësim. Problemi lind kur kjo ndodh në mënyrë të përsëritur, në të njëjtën orë dhe shoqërohet me lodhje gjatë ditës.

Në këto raste, këshillohet rishikimi i zakoneve të jetesës dhe, nëse simptomat vazhdojnë për javë të tëra, konsultimi me një specialist shëndetësor.

Sipas Goble, gjumi është shpesh një nga treguesit e parë që trupi jep kur është nën stres, ndaj modelet e përsëritura nuk duhet të injorohen.

EMISIONET