Bibla e fshehur/ Zbulohet një kapitull i librit të shenjtë, i shkruar 1500 vjet më parë
Një kapitull i ri I Biblës është zbuluar nga studiuesit në Bibliotekën e Vatikanit. Nëpërmjet rrezeve ultraviolet, ata kanë arritur të dëshifrojnë shkrimin e shënjtë në gjuhën e lashtë sirianë, që daton 1500 vjet më parë.
Studiuesit kanë zbuluar një 'kapitull të fshehur' të Biblës, të shkruar më shumë se 1500 vjet më parë. Shkrimi i shenjtë mendohet se mund të sigurojë njohuri kyçe në përkthimet më të hershme të tekstit fetar dhe ndryshimet që ka pësuar me kalimin e kohës.
Teksti i ri përfshin pjesë të Mateut 11-12 në Dhiatën e Re të shkruar në gjuhën e lashtë siriane dhe jep më shumë detaje se teksti standard i sotëm i Ungjillit. Shkencëtarët e zbuluan shkrimin e shenjtë duke aplikuar dritën ultraviolet në një dorëshkrim rreth historive dhe himneve të lashta të krishtera, që gjendej në Bibliotekën e Vatikanit.
Dr Garrick Allen, studiues i Dhiatës së Re në Universitetin e Glasgow, tha se zbulimi ofron një pasqyrë në përkthimet e hershme të Biblës.
"Ai na jep njohuri për fazat më të hershme të tekstit të Biblës dhe komunitetet që i bënë këto përkthime."
Justin Brierley, një autor i krishterë, e quajti zbulimin 'magjepsës'.
“Shpesh ndeshem me kritikë që pyesin nëse Bibla është ndryshuar me kalimin e kohës, por shkenca e kritikës tekstuale, me zbulime si këto, i ndihmon historianët të krijojnë një pamje jashtëzakonisht të saktë të asaj që thoshin ungjijtë origjinalë.'
Teksti i ri u zbulua nga Grigory Kessel nga Akademia Austriake e Shkencave, i cili ka ndarë disa detaje.
Në versionin grek të Mateut, kapitulli 12, vargu i parë thotë: 'Në atë kohë Jezusi kaloi nëpër arat e grurit dhe dishepujt e tij patën uri ndaj filluan të mbledhin kallinjtë e grurit dhe t’i hanin.
Përkthimi më i detajuar në gjuhën siriane thotë: '[...] filluan të mbledhin kokrrat e grurit, t'i fërkojnë në duar dhe t'i hanë'.
Ky kapitull është shkruar të paktën një shekull përpara dorëshkrimeve më të vjetra greke që kanë mbijetuar, duke përfshirë dorëshkrimin e krishterë të shekullit të 4-ët të Biblës greke.