Arti shqiptar në zi, koronavirusi i merr jetën aktorit të njohur, Guljelm Radoja

Pas disa ditëve beteje në spital më virusin Covid-19, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare aktori shqiptar Guljelm Radoja.

Artisti u shua mëngjesin e së mërkurës, 5 maj, në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku u transferua në gjendje të rënduar shëndetësore nga Spitali i Durrësit.

Ai prej ditësh ishte në intubim, por nuk mundi të mbijetojë. Njoftimin për ndarjen nga jeta e bëri publik i biri, Red Radoja, përmes një postimi në facebook.


“Pushofsh në paqe babi. Do ndrijnë sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël…”


Edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë LSHASH shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të kolosit të artit shqiptar, aktorit Guljelm Radoja, duke u shprehur  ngushëllime familjarëve dhe miqve të tij.

Miq të artistit, disa ditë më parë, lëshuan një thirrje në rrjetet sociale, teksa aktori ndodhej i shtruar në reanimacionin e Spitalit të Durrësit, për një muaj.

Skenaristi, Bashkim Zahaj, i kërkoi qeverisë që ta ndihmonte aktorin për një shërbim të specializuar jashtë shtetit.

Ndërkohë, Radoja  nuk ishte përfshirë as në skemën e vaksinimit të personaliteteve, për shkak të fashës së moshës.

Guljelm Radoja lindi në Shkodër në korrik të vitit 1945. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve për Dramaturgji në vitin 1972, ai u angazhua si aktor profesionist në shumë skena teatrore në vend.

Radoja numëron më shumë se 30 role në kinematografinë shqiptare, ku ndër më të spikaturit është ai i Petro Nini Luarasit te filmi "Kush vdes në këmbë" apo edhe te "Gjurma", "Mësonjëtorja”, "Kthimi i ushtrisë së vdekur", "Kolonel Bunker" etj.

Aktori është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

EMISIONET