"Individët problematikë, i krijojmë që në familje, që në mënyrën si i rrisim fëmijët, me modelin që ne i japim me marrëdhëniet familjare"
Dhuna në familje në kohë pandemi duket se ka qenë e shtuar në masë, sidomos në muajt e parë, ku rëndesa psikologjike ka qenë shumë e madhe, për vetë faktin që njerëzit ishin të detyruar që të rrinin me njëri-tjetrin 24 orë në ditë. Por si është përjetuar kjo situatë nga shoqëria shqiptare?
Për të folur më gjerë mbi këtë tematikë ka qenë e ftuar në studion e "Ditë e Re" në Rtv Ora, psikologia Lenida Halilaj.
Në parim supozohet që shtëpia dhe familja të jetë ai vendi ku gjendet siguria dhe e mbaj mend në ditët e para ku qarkullonin nëpër faqet e ndryshme psikologjike që thonin për fëmijët e dhunar se "nëse ju të gjithë ndiheni shumë të sigurtë, edhe të paprekur nga rreziqet e jashtme, si mund të ndihemi ne që faktikisht rrezikun e kemi brenda". Ishte realisht një situatë e vështirë. Shtëpia është streha familjare ku ti ndihesh më i sigurtë, por aty është edhe burimi i problematikave të mëdha. Familja është shumë problematike në vendin tonë, ndryshe nga vendet e tjera, është shprehur psikologia Lenida Halilaj për RTV Ora.
Po cilat janë pasojat e llojeve të ndryshme të dhunës? Po jua rendisim
Lenida Halilaj për RTV Ora: Vitet e fundit ne u kemi dhënë zë dhunës familjare fizike, dhe harrojmë që dhuna psikologjike është ai katalizatori që e bën kthimin e një marrëdhënie normale, në jonormale. Kjo shikohet në indiferencë, në mënyrën si i ndërtojmë marrëdhëniet patriarkale që ne kemi në vendin tonë.
Individët problematikë, i krijojmë që në familje, që në mënyrën si i rrisim fëmijët, ose sesi fëmijët shohin modelin që ne i japim me marrëdhëniet familjare me martesën përshembull, mënyrën se si prindërit ecin gjatë martesës së tyre dhe këtë fëmijët do ta asociojnë me imazhin që do ta kenë për gjetjen e partnerit në të ardhmen.
Po marrim shembullin e një vajze që është dhunar nga babai, ose ka parë edhe babain të dhunojë nënën në mënyrë sistematike, dhe përsëri do të zgjedhë, qoftë edhe me dëshirën e saj, një individ, i cili po ashtu do ta dhunojë. Lind pyetja se pse një vajzë që e di se çfarë është dhuna, pse zgjedh sërish një partner që e dhunon? Në fakt është njohur me atë imazh dhe nuk i bën më përshtypje.
Cilat janë llojet e dhunës?
Lenida Halilaj për RTV Ora: Tre tipat e dhunës janë ato: psikologjike, fizike dhe ajo verbale, këto janë komponentët kryesorë. Kemi edhe dhunë financiare-presioni që i bëhet partnerit që mund të jetë financiarisht më dobët. Kjo është arsyeja pse femrave u është ushtruar presion historikisht.

