Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari do të garojë në zgjedhjet e ardhshme me Nismë Thurje.

Në një intervistë për Ora News, ajo thotë se do të jenë vetë qytetarët që do të zgjedhin përmes votës se kush do të jetë kryetar i kësaj nisme politike.

Gjithashtu ajo u shpreh se në përbërje të saj do të jenë studentë, akademikë dhe intelektualë.

Hajdari: Vendi ka nevojë për një nismë të re politike e cila nuk ka patur përshirje me partitë e vjetra të cilat janë kthyer në shpk. Tashmë qytetarët shqiptarë do kenë një nismë të re politike ku ata do jenë pronarët e kësaj platforme. E them me plotë bindje pasi në këtë nismë të re do jenë qytetarët që do zgjedhin më 25 prill. Do ketë një bashkim të gjerë të një grup njerëzish që do jenë studentë dhe intelektualë e akademikë. Ky forum do jetë në garë të plotë me qytetarët që do zgjedhin se kush do të jetë kryetar.

Modeli ynë është një model i ri që bazohet në parime demokratike duke zgjedhur se kush do jetë drejtuesi dhe të zgjedhin pikat që ne duhet të ndjekim së bashku për të ndryshuar realitetin në Shqipëri. Kemi filluar një tur të gjerë në Tiranë dhe në qytete të ndryshme duke takuar njerëz të thjeshtë. Ata janë shumë më të zgjuar se njerëz që takoj në oborret e Kuvendit. Sot është e nevojshme që t’i shërbejmë qytetarëve shqiptarë. Janë marrë burime natyrore të shumta në Shqipëri që janë gllabëruar nga një grup njerëzish. Kjo histori duhet të marrë fund. Ne ja ku jemi dhe po jua japim.

Gjithashtu Hajdari komentoi dhe zgjedhjet e ardhshme ku shprehu bindje për humbjen e qeverisë aktuale.

Deputetja tha se edhe vetë opozita jashtëparlamentare do të ndëshkohet për shkak se braktisi Parlamentin 1 vit më parë duke i hapur rrugën kështu partive të reja më të vogla.

Hajdari: Ajo që di unë dhe çfarë kam parë nëpër sondazhe, shumë qytetarë nuk ndihen të përfaqësuar. PS e ka humbur mbështetjen në publik pasi ka 7 vite në qeveri dhe ka pasur disfata të jashtëzakonshme. Në zgjedhjet e ardhshme ajo do të reflektohet në kurriz të dëmeve që ka shkaktuar në kurriz të ekonomisë. Jam shumë e sigurt që nga ana tjetër qytetarët shqiptarë do të ndëshkojnë opozitën jashtëparlamentare që brakstisën Parlamentin dhe e futën vendin në një krizë totale. Kjo lë në hapësirë për një forcë të re dhe ka shumë terren e do përfaqësohet denjësisht në Kuvend.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti online Endi Mullaj