Vathi: Shifrat e qeverisë nuk janë të sakta, pasi bëhet fjalë për 10 mln vizitorë të huaj, e vetëm gjysma janë turistë
E ndërsa Shqipëria përgatitet për sezonin e ri turistik, qeveria shqiptare deklaron se këtë vit synohet një rritje nga 10 milionë në 15 milionë turistë.
Por për përfaqësuesin e Operatorëve Turistikë Besnik Vathi, kjo shifër e qeverisë është e saktë sa i përket vizitorëve të huaj që vijnë në vendin tonë, por tha ai, këta 10 milionë nuk janë turistë por vizitorë të huaj dhe vetëm gjysma e tyre konsiderohen turistë.
“Më duhet të sqarojmë se shifratqë jep qeveria nuk janë të sakta pasi bëhet fjalë për 10 milionë vizitorë të huaj që vijnë në Shqipëri dhe nga këta vetëm gjysma e tyre konsiderohen si turistë.
Pasi bëhet fjalë për vizitorë njëditorë që vijnë e ikin brenda ditës nga vendi dhe këta nuk janë turistë.
Ndërkaq kemi edhe shtetas të huaj por me kombësi shqiptare, pra që janë emigrantët. Të cilët kur vijnë në Shqipëri nuk kërkojnë akomodime në hotele, pasi ata shkojnë në shtëpitë apo familjarët e tyre.

Ndërkaq, nisur nga këto ambicia e qeverisë për 15 milionë vizitorë të huaj këtë vit dhe kjo po që mund të arrihet, por sërish nuk duhen ngatërruar termat. Edhe shifrat e INSTAT-it bëjnë fjalë për vizitorë të huaj,m dhe jo turistë.
Sa i përket shtimit të këtyre vizitorëve në këto dy muaj ka ndikuar heqja e vizave për Kosovën, ku shtetasit kosovarë po shfrytëzojnë më shumë edhe hapësirën dhe ofertat që afron aeroporti i Tiranës për lëvizjen e tyre.
Ne nuk kemi turizëm 12 mujor, por kemi një turizëm që lulëzon nga periudha e majit deri në muajin tetor.
Sepse po të kishim turizëm gjithëvjetor hotelet duhet të ishin plot gjatë gjithë vitit”, u shpreh ndër të tjera Besnik Vathi në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”.




