USHTRI ME STANDARDET E NATO-s/ Vengu: Rritja e pagave deri në 70% dhe modernizimi, prioritete

Rritja e pagave dhe modernizimi janë ndër prioritetet e shpallura të qeverisë në Fushën e Mbrojtjes. Ministri Pirro Vengu thotë se pagat e niveleve bazë pritet të rriten me 60–70%, si pjesë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Investimi në përmirësimin e kushteve, rritjen e pagave por edhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, janë shpallur si prioritete të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një nga prioritetet kryesore të qeverisë, me qëllim arritjen e mesatares së NATO-s, deri në vitin 2029, kur Shqipëria aspiron të jetë gati për integrim në Bashkimin Europian.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë.

VENGU: “Forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk lidhet vetëm me trajnimin dhe profesionalizimin e vazhdueshëm, por edhe me krijimin e kushteve dinjitoze për shërbimin në Forcat e Armatosura, përmes një politike të qëndrueshme rritjeje pagash që reflekton përgjegjësinë dhe sakrificën e ushtarakëve”.

Referuar këtij synimi, kreu dikasterit të mbrojtjes theksoi se pagat e Forcave të armatosura do vijojnë trajektoren e rritjes edhe në vitet në vijim. Sipas tij rritja do të jetë 60–70% për nivelet bazë, ndërsa për nivelet e larta të komandimit parashikohet një rritje prej 30–40%.

Vengu e konsideron këtë politikë si një mundësi për rritjen e motivimit, forcimin e qëndrueshmërisë së burimeve njerëzore dhe afrimin e standardeve të Shqipërisë me ato të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Vlen të theksohet se në buxhetin e ri 2026, parashikohet rritje e pagave për ushtarakët.

Nga ana tjetër, Shqipëria nëpërmjet shoqërisë KAYO, synon përmirësimin e industrisë ushtarake, prodhimin e armëve, municionit dhe pajisjeve ushtarake, dronëeve etj., bazuar në kapacitetet vendore dhe partneritetet strategjike.

EMISIONET