Topuzi: Tremujori i parë i qetë për turizmin, parashikohet rritje 6-7%
Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, u shpreh se tremujori i parë i vitit mbetet tradicionalisht periudha më e qetë për turizmin dhe nuk priten rezultate të larta.
Sipas tij, kjo periudhë ndikohet edhe nga kushtet e pafavorshme atmosferike, si reshjet dhe moti i paqëndrueshëm, që frenojnë lëvizjet turistike.
Topuzi theksoi se një pjesë e mirë e lëvizjeve lidhet me turistët tranzit, të cilët përdorin aeroportin e Rinasit për të udhëtuar drejt vendeve të tjera të Europës. Ai nënvizoi se çmimet konkurruese të biletave e kanë kthyer aeroportin në një pikë të rëndësishme në rajon.
Sa i përket ecurisë së vitit, ai parashikoi një rritje prej 6-7%, në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, duke theksuar se kjo do të varet nga situata ndërkombëtare dhe nëse konfliktet mbeten të kufizuara, pa u përshkallëzuar më tej në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme.
Topuzi shtoi se deri tani këto zhvillime nuk kanë dhënë ndikim thelbësor në turizëm, pasi kjo industri tashmë është kthyer në një mënyrë jetese dhe lëvizjet janë pjesë e pandashme e realitetit europian.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Europës në tregun global të turizmit, duke kujtuar se kontinenti përpunon rreth 52% të lëvizjeve turistike në botë, çka e bën analizën e këtij sektori të lidhur ngushtë me zhvillimet në Europë.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ALERT":


