Tjetër skandal ushqimor në Tiranë, në markete shiten biskota me fije flokësh

Tjetër skandal ushqimor në Tiranë, në markete shiten biskota

Një qytetare ka denoncuar një rast shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore në vend.

Sipas saj, gjatë ditës së sotme ka blerë një pako me biskota tradicionale në një market në zonën e Tufinës, por pas hapjes së produktit ka konstatuar brenda tyre një tufë fijesh flokësh.

“Bleva sot këto biskota në një market në Tufinë dhe kur i hapa gjeta fije flokësh brenda paketimit. Është shumë e neveritshme dhe shqetësuese, sidomos në kushtet kur duhet të ketë më shumë kontroll dhe pastërti në produktet ushqimore,” – shprehet qytetarja për JOQ.

Ndërkohë, qytetarja ngre shqetësimin edhe për nivelin e kontrollit institucional ndaj subjekteve që prodhojnë dhe tregtojnë ushqime.

Sipas saj, mungesa e monitorimeve efektive po rrezikon sigurinë e konsumatorëve dhe po dëmton besimin tek standardet ushqimore në vend.

“Kjo është shumë e neveritshme pasi në vitin 2026, në një vend që pretendon të futet në BE, të mos ketë kontrolle dhe as minimalen e pastërtisë në fabrikat ku prodhohen ushqime për t’u ngrënë,” – shton ajo.

Në vitet e fundit, siguria ushqimore në Shqipëri është kthyer në një nga shqetësimet më të mëdha për konsumatorët, pas një sërë rastesh flagrante me produkte të kontaminuara, mungesë kontrollesh dhe reagime të vonuara nga institucionet përgjegjëse.

Një nga rastet më të rënda ishte ai i importit të rreth 19 mijë kilogramëve mish pule nga Brazili, ku analizat zbuluan prani të salmonelës vetëm pasi produkti ishte hedhur në treg.

Sipas raportimeve, mbi 15 mijë kilogramë mish ishin konsumuar nga qytetarët përpara se autoritetet të reagonin.

Po ashtu, gjatë viteve 2024-2026 janë raportuar raste të shumta me produkte ushqimore të kontaminuara ose të pasigurta për konsum, si qumësht me aflatoksinë, apo fruta dhe perime me nivele pesticidesh mbi normat e lejuara ndër të tjera.

EMISIONET