Karburantet/ Kushtetuesja 30 ditë kohë për Bordin, Logu: Qeveria prishi konkurencën, favorizoi të mëdhenjtë
Një muaj pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi Bordin e Transparencës për çmimin e ushqimeve, në seancë është shqyrtuar ankimi dhe për karburantet.
Në një përballje prej 45 minutash, përfaqësuesi i Qeverisë dhe pala kundërshtuese kanë dhënë argumentet e tyre para 9 anëtarëve të trupës kushtetuese.
Në daljen për mediat, Marash Logu u shpreh se beson që dhe kjo çështje do të ketë të njëjtin fat me të ushqimeve.
“Nuk kemi asnjë arsye që ta dyshojmë se Gjykata Kushtetuese nuk do ta shfuqizojë këtë bord, qoftë për shkak të asaj praktike që ka vendosur me Bordin e ushqimeve, por edhe për shkak të argumenteve që janë paraqitur nga ana jonë në Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha provat që ne kemi depozituar. Megjithatë, nëse nuk do të ketë një vendimmarrje siç ne dhe qytetarët e presin do të shikojmë çdo lloj mundësie tjetër ligjore dhe kushtetuese për ta adresuar”, theksoi Logu.
Sipas tij përmes këtij vendimi Qeveria ka ndërhyrë në konkurrencë dhe favorizon operatorët e mëdhenj.
“I kanë shërbyer vetëm operatorëve të tregut që janë pjesë e këtyre bordeve. Vendet e Rajonit, por edhe ato të BE-së nuk kanë zgjedhur që të krijojnë një bord me përbërje publike dhe private, por kanë zgjedhur që nëpërmjet reduktimit të taksave që rëndojnë mbi çdo litër karburant, përfshi këtu akcizën, TVSH-në, apo detyrime të tjera. Apo edhe nëpërmjet paketave dhe masave subvencionuese, t’ju vijnë në ndihmë qytetarëve të tyre”, u shpreh Marash Logu.
Pas pranimit të çëhstjes, Gjykata Kushtetuese do të duhet të dalë me një vendim brenda 30 ditëve.
Sipas qeverisë, Bordi i Transparencës u krijua për të vendosur kufi në çmimin më të lartë të tregtimit të karburantit duke iu referuar bursës ndërkombëtare.
Shkak për këtë u bë shtrenjtimi në pikat e shitjes pas nisjes së agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Më 22 shkurt, trupa e Gjykatës Kushtetuese vlerësoi si të papajtueshëm me ligjet e vendit ngritjen e Bordit për Caktimin e Disa Kategori Ushqimesh duke vendosur shkrirjen e tij.