U thirr nga SPAK, reagon Artur Bushi: Ishte vetëm për denoncimin e një qytetari për 3 ndërtime
Artur Bushi Kryetari i bashkisë së Krujës, ka reaguar lidhur me thirrjen në SPAK ku është marrë në pyetje për mbi 90 minuta në lidhje me një hetim të nisur ndaj tij pas denoncimit të një qytetari.
Në reagim Bushi thotë se Thirrja në SPAK ishte vetëm e lidhur me denoncimin e një qytetari dhe nuk ka asnjë lidhje me procedurat e prokurimeve dhe tenderave publike.
Bushi: Duke respektuar strikt procedurën hetimore dhe në respekt të informimit të publikut për aq sa më lejon ligji, dua të bëj me dije se sot kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time ne lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja, Muharrem Hoçja, i cili ka pretendimet për sulme personale nga ana Kryetarit të Bashkisë Krujë, në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij, për tre ndërtime pa leje të bëra nga ky shtetas, ndaj të cilave janë marrë të gjitha masat ligjore! Thirrja në SPAK ishte vetëm për këtë pjesë dhe nuk ka asnjë lidhje me procedurat e prokurimeve dhe tenderave publike.
Dhashë shpjegimet e mia në përgjigje të ftesës së Prokurorisë, mbi çështjen në fjalë dhe do të vij sa herë që do të jetë e nevojshme prania ime, sepse unë nuk i shmangem të vërtetës dhe ligjit. Çdo aludim tjetër dashakeq në media apo portale e quaj pjesë të fushatës politike të 14 Majit, e cila tashmë ka filluar dhe për fat të keq, opozita ka zgjedhur baltën dhe dezinformimin e publikut.