“Nomadët Digjitalë” për 1 vit s’do të konsiderohen rezidentë tatimore. Qeveria ndryshon ligjin, agjenci për Start-Upet
Qeveria miratoi ndryshime në ligjin për Start Upet, ku punonjësit digjitalë lëvizës nuk konsiderohen më rezidentë tatimore! Një agjensi e posacmë do të ngrihet për të mbështetur sipërmarrësit e rinj!
Punonjësit digjitalë lëvizës që nuk qëndrojnë në zyra ose në vend pune fikse për një vit nuk do të konsiderohen rezidentë tatimorë në Shqipëri!
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali njoftoi vendimin e qeverisë.
“Ndryshimet kryesore në këtë ligj bëhen kryesisht për efekt të përfshirjes së një koncepti që janë nomadët digjital, që sipas ligjit njihen si punonjësit lëvizës digjital ose thënë ndryshe punonjës që shfrytëzojnë teknologjinë për të mos punuar nga një vend fiks, por lëvizin gjithë botën dhe punojnë për të tretë”, u shpreh ministrja.
Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimet në Ligjin për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve ku parashikohet dhe ngritja e një agjencie në ndihmë të sipërmarësve të rinj!
“Kjo është një iniciativë që është mbështetur nga shumë vende të botës sipas indeksit ndërkombëtar “Work from everywhere”, ku në vitin 2021 Shqipëria renditej e 15-ta në botë për potencialin që ka për të përthithur këtë target grup.
Në Shqipëri janë aktualisht 100 nomadë që operojnë dhe nëpërmjet rregullimit ligjor, tashmë ata nuk do të konsiderohen rezident tatimor dhe do të kenë të drejtën deri në një vit të punojnë nga Shqipëria për gjithë botën”, u shpreh Bilali.
Ligji për Start-Upet rregullon dhe lehtëson krijimin dhe zhvilimin e biznesve inovatore.