SKY Express nis linjën e re që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës me Heraklionin
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) dhe kompania ajrore SKY Expressfestuan me krenari inaugurimin e linjës së re Tiranë–Heraklion, duke forcuar më tej lidhjet ajrore mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ceremonia e hapjes u zhvillua pranë shkallëve të avionit në TIA, në prani të përfaqësuesve të Ambasadës së Greqisë, Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, si edhe përfaqësuesve të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, SKY Express dhe TIA-s.
Pas mirëseardhjes së ngrohtë dhe shkëmbimit të përshëndetjeve mes ekipeve, u zhvillua ceremonia e prerjes së shiritit, që simbolizoi hapjen zyrtare të linjës së re ajrore.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Belinda Balluku theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla për forcimin e lidhjeve rajonale dhe zhvillimin e turizmit midis dy vendeve.
Pas ceremonisë, të ftuarit dhe përfaqësuesit e mediave morën pjesë në një konferencë në Sallën e Konferencave të TIA-s, ku u mbajtën prezantime nga përfaqësues të Aeroportit të Tiranës dhe SKY Express.
Fjalë përshëndetëse mbajtën z. Piervittorio Farabbi, Chief Operating Officer i TIA-s, znj. Manjola Kaso, Drejtore e Zhvillimit të Biznesit Ajror dhe Marketingut në TIA, si dhe z. Georgios Baliouskas, Drejtor i Shitjeve B2B dhe Distribucionit në SKY Express.

Gjatë fjalës së tij, z. Farabbi nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të Aeroportit të Tiranës për zgjerimin e rrjetit të destinacioneve dhe ofrimin e një game gjithnjë e më të gjerë udhëtimesh në Evropë.
Piervittorio Farabbi, Drejtori Operacional i TIA: "Inagurimi i linjës së re tregon se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po zhvillohet dhe po bëhet tërheqës për partnerët tanë të linjave ajrore. Këto linja po shtojnë destinacionet që do të thotë se janë të mirëpritur dhe kjo do të rrisë mundësitë e fluturimeve për qytetarët. Do të jetë kënaqësi të shohim Sky Express, sepse ka një flotë specifike. Po përsëritet ajo që është bërë në ishullin grek, sepse ata mbështesin ndërlidhjen e aeroporteve më të vogla".
Ndërsa z. Baliouskas u shpreh: “Jemi shumë të kënaqur që forcojmë prezencën tonë në Shqipëri me një destinacion të ri — Heraklionin, një nga qendrat më të rëndësishme turistike të Greqisë. Ky zgjerim reflekton besimin tonë në tregun shqiptar dhe dëshirën për t’u ofruar pasagjerëve më shumë alternativa udhëtimi të sigurta, komode dhe cilësore.”
Ndërsa Maria Koumoutsakou, Drejtoreshë e Zyrës Ekonomike, Ambasada Greke tha: "Kjo linjë e re kontribuon në ndërtimin e urave të reja mes dy popujve tanë duke forcuar lidhjet që na bashkojnë ne. Turizmi mes dy vendeve tona po rritet dhe kjo tregohet edhe nga numrat që na tregon se turizmi është shumë më tepër se një industri, por është një mekanizëm rritjeje për të dy vendet. Eshtë një urë mirëkuptimi.
Përfaqësuesit e SKY Express rikonfirmuan angazhimin e kompanisë për të zgjeruar më tej operimet në Shqipëri dhe për t’u ofruar pasagjerëve shërbime të leverdishme, komode dhe me cilësi të lartë.
Linja e re Tiranë–Heraklion, e cila do të operohet gjatë gjithë vitit me dy fluturime në javë — çdo të Martë dhe të Shtunë — përbën një shtesë të rëndësishme në rrjetin në zgjerim të TIA-s, duke u ofruar pasagjerëve mundësinë për të eksploruar një nga qytetet më të bukura dhe historike të Greqisë.
Rreth SKY Express
SKY Express është një nga kompanitë ajrore me rritjen më të shpejtë në Greqi, me një rrjet të gjerë fluturimesh të brendshme dhe një numër gjithnjë në rritje destinacionesh ndërkombëtare. Me fokus në cilësi, siguri dhe qëndrueshmëri, kompania vazhdon të zgjerojë praninë e saj në tregun evropian.

Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA)
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është porta kryesore ajrore e Shqipërisë drejt botës, që lidh vendin me dhjetëra destinacione evropiane. TIA vijon të rritet në mënyrë të qëndrueshme, duke ofruar kushte të përmirësuara udhëtimi, teknologji bashkëkohore dhe një eksperiencë gjithnjë e më cilësore për pasagjerët e saj.


