SIGURIA USHQIMORE/ Zëvendësministri zbardh zinxhirin e kontrollit, Jaupllari: Eksportet në tregjet problematike si ai kroat, të shoqërohen edhe nga ekspertët e AKU-t

Siguria ushqimore në Shqipëri mbetet një nga sfidat më të mëdha në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në një diskutim mbi standardet dhe zbatimin e tyre në emisionin “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, u analizuan kapacitetet e vendit për të garantuar atë që konsumojnë qytetarët, duke e cilësuar ushqimin e sigurt jo si luks, por si një të drejtë themelore.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari, shpjegoi se kontrolli i produkteve ushqimore është një zinxhir i tërë që nis "nga fara në tavolinë".

Sipas tij, procesi fillon me farat e certifikuara dhe të kontrolluara, vijon me monitorimin e praktikave në fermë përmes "librit të fermerit", ku regjistrohen të gjitha trajtimet, dhe mbikëqyret nga strukturat e ministrisë.

Roli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) bëhet thelbësor kur produkti del në treg, duke kontrolluar ushqimet në supermarkete deri te konsumatori final.

Duke iu përgjigjur pyetjes mbi kapacitetet kontrolluese të Shqipërisë, Jaupllari pohoi se vendi disponon laboratorë në varësi të AKU-së dhe laboratorin e referencës pranë ISUV.

Megjithatë, ai pranoi se me rritjen e prodhimit dhe nevojën për të përmbushur standardet e BE-së, këto kapacitete do të shtohen.

Në bashkëpunim me Bankën Botërore, planifikohet ndërtimi i shtatë laboratorëve të rinj dhe pikave të inspektimit kufitar, të cilat do të rrisin ndjeshëm sigurinë e produkteve që hyjnë dhe dalin nga vendi.

Një tjetër çështje e nxehtë janë eksportet dhe rastet e kthimit të produkteve shqiptare. Zëvendësministri Jaupllari theksoi se numri i rasteve jo-konform është "i pakonsiderueshëm".

Ai gjithashtu foli për një fenomen që e cilësoi si “luftë tregtare”, ku prodhimet mund të bllokohen për arsye komerciale.

Si zgjidhje, Jaupllari propozon që eksportet drejt tregjeve problematike, si ai kroat, të shoqërohen nga ekspertë shqiptarë të AKU-së për të kryer analiza paralele dhe për të verifikuar nëse bëhet fjalë për probleme reale me produktin apo për barriera tregtare.

Zëvendësministri i Bujqësisë Arjan Jaupllari: “Siguria ushqimore në fakt nuk është një moment, por është një zinxhir i tërë që fillon nga fara, fidani, ferma, përpunimi, pra një zinxhir ushqimor që fillon nga ferma në tavolinë.

Analizimi nuk është vetëm laborator, siguria ushqimore. Dhe them kështu, se sot jemi në fazën kur janë bërë hapa shumë të rëndësishëm në kontrollin e këtij zinxhiri ushqimor.

Çka do të thuhet që fara që vjen është e çertifikuar, është e kontrolluar, është e provuar dhe pas kësaj fillon procesi i dytë i trajtimit të saj në serë apo në fushë të hapur, i cili kontrollohet nëpërmjet një libri të fermerit dhe në këtë libër të fermerit shënohen të gjitha procedurat që ajo kalon dhe çfarë procesesh kryen, që nga plehërimi, ujitja, trajtimi me produkte të mbrojtjes së bimëve apo trajtimi me luftë biologjike.

Kështu që ne në të gjithë këtë zinxhir kemi dy hapa. Brenda fermës dhe nga ferma, dalja nga ferma në treg, në tavolinë tek konsumatori.

I gjithë procesi i parë kontrollohet dhe është detyrim i operatorit të biznesit për të nxjerrë një produkt ushqimor të gatshëm dhe ministria dhe strukturat e saj të varësisë të cilët kontrollojnë këto hapa për të cilat ndjek fermeri.

Dhe pastaj fillon dalja në treg, nëpërmjet ku hyn në lojë AKU-ja, të kontrollojnë ushqimin që shkon në treg dhe në supermarkete deri tek konsumatori final.

Ky zinxhir nuk është vetëm tek prodhimi, por është një zinxhir edhe tek produktet e importit, që fillon që me AKU-në dhe vazhdon pastaj në treg për të kontrolluar të gjithë ushqimet apo dhe ushqimet e tjera të cilat nuk janë prodhime të vendit, nuk janë fruta, perime, por janë produkte të importit të cilat kontrollohen. Sa kontrollohen dhe analizohen, ishte pyetja që ju bëtë. Sot ne kemi laborator të kontrollit të këtyre produkteve ushqimore që prodhohen në vendin tonë, por edhe atyre që vijnë, që eksportohen, por dhe atyre që hyjnë nga importi tek ne.

Kapacitetet ne sot kemi laborator të kontrollit në varësi të AKU-së dhe laborator të referencës që është Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Kapacitetet deri sot më shumë i ka mbuluar ISUV. Por nevojat kur prodhimi është rritur, kur konsumi është shtuar, kur nevojat për kontroll janë akoma më të shtuara dhe për të arritur dhe standartet e Bashkimit Europian, me Bankën Botërore janë për t'u ndërtuar shtatë laboratorë dhe pikat e inspektimit kufitar të cilat do të kontrollojnë produktet të cilat hyjnë në tregun shqiptar.

Kështu që rritja e kapaciteteve laboratorike do të jetë një nga synimet tona kryesore, për të cilat do të kemi një standard tashmë të laboratorit të nivelit të parë siç i quajmë ne dhe të nivelit të dytë, që janë laboratorët e referencës.

Por meqenëse nevojat për analiza janë shumë më të mëdha dhe ne do ta shtojmë kapacitetin e laboratorik, atëherë do të jetë një garanci e shtuar për produktet që sot hidhen në qarkullim në tregun tonë.

Dhe për produktet për eksport mund të themi që nga krahasimi i shifrave të produkteve që janë eksportuar në vendet e Bashkimit Europian ose në vendet e rajonit krahasuar me numrin e analizave që kanë dalë jo konform ose numrin e trajlerve që kanë dalë jo konform është një shifër e pa konsiderueshme.

Kështu që, pavarësisht sepse ndikojnë disa faktorë, faktori kryesor për shembull është analizimi dhe zbatimi i kohës për disa fermerë të cilët mund të prishin tërë trailerin, që është një nga problemet më të mëdha.

E dyta është një problem edhe një problem tjetër është dhe problemi që komercial i tregjeve në kohë të caktuara kur prodhim është, prodhimi është i njëjtë dhe në vendet e tjera ka edhe kjo lufta tregtare të cilën ne duam apo s'duam ekziston por nuk duket dhe për këtë ministria ka një zgjidhje.

Kemi menduar që shpeshherë në pikat kur prodhimi jonë është shumë i madh dhe por prodhimi në tregjet e tyre është përsëri konkurrent me ne, të shoqërohet nga ekspertët tanë të AKU-së edhe prodhimet tona të shkojnë bashkë me trailerin që do të çojë prodhim në Kroaci, se me Kroacinë kemi pasur shumë raste, të shkojnë dhe ekspertët tanë.

Marrin ata analizë, marrim dhe ne në të njëjtën kohë për të verifikuar që kemi të bëjmë me një luftë tregtare apo kemi të bëjmë vërtet me një ndotje nga produktet të cilat janë të palejueshme.

Kështu që ky është një proces i cili vazhdon, nuk është një ditë, është një sfidë dhe sfida e sigurisë ushqimore është një sfidë e madhe të cilët qeveria shqiptare e ka në qendër të vëmendjes”.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”

EMISIONET