Shqipëria po plaket shpejt, sociologia Simo: Është tronditëse për një shtet, nuk po riprodhojmë dot as vetveten. Ja arsyet

Vit pas viti gratë në moshë riprodhuese planifikojnë të lindin gjithnjë e më pak fëmijë. Sipas një renditje që publikoi së fundmi INSTAT-i, lindshmëria në Shqipëria regjistroi përqindjen më të ulët që nga viti 2015.

Shtyrja e moshës së martesës, karriera dhe ndryshimi ë stilit të jetesës po i bën gratë shqiptare gjithnjë e më pak të prirura për të krijuar familje edhe për të lindur më shumë se një fëmijë.

Për të kuptuar më shumë sociologia Marsi Simo, e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” renditi arsyet e këtij fenomeni, por dhe nënvizoi pasojat tronditëse që ka një shtet nga këto shifra ku çiftet shqiptare, siç tha ajo, nuk riprodhojnë dot as veten e tyre.

“Janë një sërë faktorësh të cilët kanë ndikuar dhe do të ndikojnë edhe në vijim për sa i përket uljes së fertilitetit të lindjeve. Por, këto janë ato fenomene që kanë nisur shumë më herët, që ngjajnë me ato të vendeve të tjera.

Dhe ka disa veçori, e para ka të bëjë me konceptin e familjes, ndoshta dhe bota moderne nuk e qas më konceptin e një familjeje të madhe që kemi pasur dikur.

Një familje me shumë anëtarë, që ndihmonin njëri-tjetrin, dhe kur ranë të gjitha këto ide, ne filluam të mendojmë një familje ndryshe dhe pak e nga pak tani kemi ardhur në nivelin më të lartë.

Kjo edhe ndoshta duke mos pasur strategji konkrete, të cilat janë më të forta dhe më të prekshme, ne jemi në këto faza ku nuk arrijmë dot të riprodhojmë edhe vetveten, pra në fazën kur çifti të prodhojë të paktën 2 fëmijë.

Një tjetër shkak, është siguria ekonomike që është në vazhdimësi, pra nuk kemi dot një stabilitet ekonomik.

Dhe e ardhmja në 5 vjeçarin më të afërt nuk është bërë më e sigurt. Përveç pjesës ekonomike, është dhe roli i secilit në familjen e re shqiptare dhe kjo barrë që bie tek dy prindërit i ka shtyrë ata të mos e mendojnë shtimin e anëtarëve të familjes.

Gratë kanë filluar ta mendojnë moshën e martesës duke e shtyrë sa më gjatë në kohë, duke kërkuar një kohë më shumë për trajnime dhe kualifikime. Përveç kësaj gratë tashmë e dinë shumë mirë që nëse nuk kanë të ardhura të tyre bëhet më e vështirë jetesa në familje për ta.

Kjo përqindje e rënies së lindshmërisë është shqetësuese për ekonominë, është tronditëse për një shtet edhe për përfitimet e veta në fund të fundit”, u shpreh në analizën e saj sociologia Marsi Simo.

lili saraçi

EMISIONET