RRITET TAKSA E PRONËS! Kush ka shtëpi të dytë dhe të tretë do të paguajë 4-fish! Pipiria: Duhet reformë e drejtë

Qeveria po diskuton një reformë të re për taksimin e pasurisë së paluajtshme, e cila parashikon rritje të taksës për pronarët që zotërojnë më shumë se një banesë dhe një sistem të ri vlerësimi sipas çmimit të tregut. Eksperti i pasurive të paluajtshme, Renaldo Pipiria e konsideron reformën të nevojshme, por kërkon që ajo të jetë më e drejtë socialisht dhe të mbrojë kategoritë në nevojë.

Taksa e pronës do të katërfishohet për të gjithë ata që kanë një banesë të dytë dhe të tretë, sipas projektligjit të ri të qeveria ka hedhur për konsultim publik.

Eksperti Renaldo Pipiria e vlerëson ndryshimin si të nevojshëm, por thotë se ligji duhet të ketë më shumë mbrojtje për familjet në nevojë.

“Lëvizja drejt taksimit të të gjitha tipologjive të pronës mbi bazën e vlerës sa më të përafërt me tregun është drejtimi i duhur. Por sistemi mund të bëhet më i drejtë, pasi duhet të ketë më shumë elementë që marrin në konsideratë realitetin social të familjeve shqiptare.”

Sa më e shtrenjtë të jetë prona dhe sa më afër qendrave urbane të ndodhet, aq më shumë taksë do të paguajë pronari.

Pipiria propozon zgjerimin e kategorive që përfitojnë përjashtime apo lehtësira nga taksa.Një tjetër alternativë, sipas tij, është shtyrja e pagesës së taksës për familjet në vështirësi ekonomike deri në momentin e shitjes, trashëgimisë ose dhurimit të pronës.

“Duhet të kemi një politikë më të balancuar. Përjashtimet fiskale nuk duhet të bazohen vetëm tek emri i një marke ndërkombëtare, por tek standardi i investimit, kontributi në ekonomi dhe vendet e punës që krijohen. Po ashtu duhet të mbështeten edhe ndërtesat që shërbejnë për bujqësinë, blegtorinë dhe agropërpunimin.”

Projektligji parashikon rritje të taksës për qytetarët që zotërojnë më shumë se një banesë, me një shtesë prej 50 për qind mbi taksën aktuale.

Reforma pritet të ndikojë drejtpërdrejt te pronarët dhe tregu i pasurive të paluajtshme, ndërsa debati mbetet i hapur për mënyrën sesi do të arrihet një ekuilibër mes rritjes së të ardhurave publike dhe mbrojtjes së shtresave më të ndjeshme të shoqërisë.

EMISIONET