NË PLEQËRI, NJËSOJ SI NË RINI! Kitaristi Keith Richards flet për jetën, familjen e muzikën! Legjenda e The Rolling Stones publikon album e ri
Keith Richards, në moshën 82-vjeçare, vazhdon të jetë aktiv në muzikë dhe sapo ka përjetuar emocionin e të qenit stërgjysh. Legjenda e The Rolling Stones ka promovuar për publikun edhe albumin e ri të verës ndërsa shprehet skepticik ndaj ndikimit të inteligjencës artificiale në muzikë.

Keith Richards, kitaristi legjendar i grupit The Rolling Stones, ka hyrë në një kapitull të ri të jetës së tij. Në moshën 82-vjeçare, ai është bërë stërgjysh dhe e pranon me humor se ndonjëherë e ka të vështirë të mbajë mend moshat e nipërve e mbesave. Megjithatë, thotë se vazhdon të shijojë rolin e gjyshit dhe tani edhe të stërgjyshit.
Për shumë dekada, Richards u konsiderua simbol i jetës së shfrenuar të rock-ut, por sot ai flet hapur për ndryshimet që ka bërë për të ruajtur shëndetin.
Ai ka lënë duhanin prej disa vitesh, konsumon më pak alkool dhe thotë se ka mësuar të dëgjojë sinjalet e trupit të tij. Paralelisht me jetën familjare, muzikanti vazhdon të jetë aktiv artistikisht.
The Rolling Stones do të publikojnë albumin e ri “Foreign Tongues” më 10 korrik. Ky është albumi i tretë që grupi ka realizuar pas vitit 2016, duke dëshmuar se energjia krijuese e bandës mbetet e fortë edhe pas më shumë se gjashtë dekadash në skenë.
Richards vlerëson bashkëpunimin me producentin Andrew Watt, të cilin e cilëson si një frymë të re për grupin. Sipas tij, ritmi i shpejtë i punës së Mick Jagger ka ndikuar që albumi të përfundojë në një kohë relativisht të shkurtër.
Megjithëse marrëdhënia mes Jagger dhe Richards është karakterizuar shpesh nga debate dhe përplasje artistike, ai thotë se me kalimin e viteve konfliktet janë zbutur. Sot, dy ikonat e rock-ut vazhdojnë të bashkëpunojnë me të njëjtin pasion që i ka mbajtur bashkë për më shumë se 60 vjet.
Një nga temat që e shqetëson Richards është ndikimi i teknologjisë moderne në muzikë. Ai shprehet skeptik ndaj inteligjencës artificiale dhe mendon se teknologjia nuk e ka përmirësuar domosdoshmërisht procesin krijues. Për këtë arsye, vazhdon të besojë te mënyrat tradicionale të kompozimit dhe regjistrimit.
Pavarësisht moshës, Keith Richards nuk mendon të ndalet. Ai pranon se ndonjëherë reflekton mbi rrugëtimin e gjatë të jetës, por thotë se preferon të vazhdojë përpara dhe të shohë se ku do ta çojë rruga.


