FIFA ndryshon ritmin e futbollit / Rregullat e reja rrisin ndjeshëm lojën efektive në Botërorin 2026

Vetëm pas javës së parë të Botërorit 2026, FIFA duket se ka marrë sinjalet e para pozitive nga rregullat e reja të aplikuara për herë të parë në këtë turne, të cilat kanë rritur ndjeshëm kohën e lojës efektive dhe ritmin e ndeshjeve.
Ndryshimet përfshijnë kufizime të reja kohore: vetëm 5 sekonda për rivëniet anësore, 8 sekonda për goditjet fundore dhe 10 sekonda për zëvendësimet, duke synuar reduktimin e vonesave dhe rritjen e dinamikës në fushë.
Gjithashtu, arbitrat janë udhëzuar të mos ndërpresin lojën për ndërhyrje të lehta apo për situata ku lojtarët rrëzohen pa shkak serioz, duke favorizuar vazhdimësinë e aksioneve.
Sipas statistikave të para të turneut që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, loja efektive ka arritur në 59.4%, një rritje e dukshme krahasuar me edicionet e mëparshme.
Në “Katar 2022”, mesatarja ishte 56.9%, ndërsa në “Rusi 2018” ishte 56.4%, duke treguar një trend të qartë rritës në intensitetin e lojës.
FIFA shpreson që deri në fund të turneut, kjo përqindje të rritet edhe më tej, me synimin për të sjellë një futboll më të shpejtë, më spektakolar dhe më tërheqës për shikuesit në mbarë botën.


