RINASI, I PARI NË BALLKAN/ TIA shënon ndër rritjet më të larta post-pandemike në Evropë

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, TIA, ka mbyllur një tjetër vit të cilësuar fantastik, duke u rikonfirmuar ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë krahasuar me periudhën e para pandemisë, vitin 2019.

Referuar të dhënave të publikuara nga ACI Europe, Airports Council International Europe, që përfaqëson më shumë se 600 aeroporte në 55 vende, numri i pasagjerëve që kanë fluturuar nga TIA në vitin 2025 ishte 248.7% më i lartë sesa në vitin 2019.

Përkthyer në udhëtarë, të dhënat tregojnë se në vitin 2019 në Rinas u shënuan 2,556,846 pasagjerë, numër që është rritur në në 11,640,047 në vitin 2025.

Me këtë rezultat, Rinasi renditet mes pesë aeroporteve evropiane me rritjen më të fortë.

Në nivel rajonal, Tirana International Airport konfirmohet si aeroporti më i madh në Ballkanin Perëndimor për nga volumi i pasagjerëve.

Rinasi  lë pas Beogradin me 8,913,520 pasagjerë dhe rritje 6.5%, ndërsa Aeroporti i Prishtinës shënoi një rritje 12.7%, një nga ritmet më të larta në rajon.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se Rinasi po konsolidon rolin e tij si nyja kryesore ajrore e Ballkanit Perëndimor.

Rritja e fortë e Rinasit përkon me marrjen në menaxhim të aeroportit nga Grupi Kastrati, i cili që nga fundi i vitit 2019, kur u nënshkrua marrëveshja koncesionare, deri në fund të vitit 2025 ka realizuar rreth 200 milionë euro investime.

Plani më ambicioz në zhvillim është zgjatimi i pistës për fluturimet e para transoqeanike, të parashikuara në verë me Kanadanë dhe më pas në një të ardhme të afërt me Nju Jorkun në SHBA.

EMISIONET