Rama: Tatim zero për pagat deri në 50 mijë lekë. Vjosa, tashmë Park Kombëtar
Pagat deri në 50 mijë lekë nuk do të tatohen më asnjë lek.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot permes rrjeteve sociale se projektligji që heq çdo tatim mbi pagat deri në 50 mijë lekë është gati dhe do të nisë implementimin shumë shpejt.
“Jemi duke rishikuar tani të gjitha pagat që do të pësojnë rritje. Nga ana tjetër kemi në Parlament një projektligj për disa ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat personale që parashikon që pagat deri në 50 mijë lekë të mos kenë asnjë taksë.
Kjo do të thotë se paga që do të shkojë në arkën e familjes do të jetë më e lartë se ajo që shkon sot si rezultat i taksës”, theksoi Kryeministri.
Pas shpalljes së lumit Vjosa “Park Kombëtar”, lumit më të egër në Europë, Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje se 14 marsi është Dita Botërore e Veprimit për Lumenjtë.
“14 marsi, Ditë e Verës por edhe Dita Botërore e Veprimit për Lumenjtë na gjen me veprimin më kuptimplotë për mbrojtjen e Vjosës, lumit të fundit të egër në Europë, që tanimë është zyrtarisht Park kombëtar”, shkruan Rama.
Dje ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur shpalljen e lumit Vjosa, “Park Kombëtar”, kategoria më e lartë e mbrojtjes.
Ndërkohë që në bashkëpunim me kompaninë “Patagonia” do të vijojë faza tjetër që ka të bëjë me planin e menaxhimit dhe hartimin e masterplanit të zonës për të parë ku mund të zhvillohen ekonomi tradicionale, ekoturizëm, ku do të jenë zonat strikte dhe ku nuk do të ndërhyhet fare.