Programi Kombëtar për përgatitjen e biznesit për Integrimin në BE, Ibrahimaj: Shqipëria po përgatit biznesin për Tregun Unik Europian

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, në një aktivitet të zhvilluar në prani të Kryeministrit Edi Rama, përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj e cilësoi programin si një nga nismat më të rëndësishme për dimensionin ekonomik të procesit të integrimit europian, duke theksuar se ai është rezultat i një pune disa vjeçare për konceptimin, hartimin dhe sigurimin e financimit, ndërsa zbatimi i tij do të nisë në vjeshtën e këtij viti.
Sipas ministres, integrimi europian nuk lidhet vetëm me përafrimin e legjislacionit dhe forcimin e institucioneve, por kërkon edhe përgatitjen e ekonomisë dhe të sipërmarrjes shqiptare për të konkurruar në Tregun Unik Europian me mbi 450 milionë konsumatorë.
“Një nga shtyllat kryesore të integrimit është përgatitja e biznesit shqiptar për të hyrë në tregun e përbashkët europian, një treg me konkurrencë të lartë dhe standarde të mirëpërcaktuara. Detyra jonë është të maksimizojmë përfitimet nga ky proces dhe të minimizojmë kostot për biznesin shqiptar”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se Programi Kombëtar vendos biznesin në qendër të procesit të integrimit europian, duke e shoqëruar atë në të gjithë rrugëtimin e transformimit drejt standardeve të Bashkimit Europian. Ajo vlerësoi se programi vjen në një moment kur ekonomia shqiptare po shënon rritje të qëndrueshme, investimet e huaja direkte dhe eksportet drejt vendeve të Bashkimit Europian janë në rritje, ndërsa ekonomia po orienton zhvillimin drejt sektorëve me vlerë të shtuar, si industria, shërbimet, energjia dhe bujqësia.
Në këtë kuadër, Ibrahimaj renditi edhe reformat e ndërmarra për mbështetjen e sipërmarrjes, duke përmendur financimin prej 16,5 milionë eurosh për zhvillimin e ekosistemit të startup-eve, zgjerimin e aksesit në financim, si dhe programin e ri me një fond prej 250 milionë eurosh të vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, të shoqëruar me garanci sovrane të Qeverisë Shqiptare, që do t’u mundësojë bizneseve financim me kosto më të ulët dhe kërkesa më të lehta për kolateral. Ministrja nënvizoi gjithashtu investimet në inovacion, digjitalizim, arsimin profesional, si edhe hartimin e strategjive kombëtare për zhvillimin industrial, eksportet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke theksuar, se Programi Kombëtar i bashkon të gjitha këto politika në një instrument të vetëm mbështetës.
Programi synon të krijojë mekanizmat që bizneset shqiptare të jenë të informuara, të trajnuara, të mbështetura financiarisht dhe të përgatitura për të përmbushur standardet europiane. Objektivi është që gjatë vitit të arrihen rreth 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin, të krijohet një rrjet kombëtar ekspertësh dhe konsulentësh, të zhvillohen trajnime sektoriale dhe të ndërtohet një sistem i qëndrueshëm mbështetjeje për transformimin e biznesit shqiptar.
Një komponent kyç i programit do të jetë krijimi i një platforme kombëtare digjitale, e cila do të ofrojë informacion mbi trajnimet, materialet edukative, standardet, certifikimet dhe të gjitha kërkesat që bizneset duhet të përmbushin për t’u integruar me sukses në Tregun Unik Europian. Ministrja shpjegoi se programi mbështetet mbi katër shtylla kryesore.
“Programi mbështetet mbi katër shtylla kryesore. Dy shtyllat e para lidhen ngushtë me njëra-tjetrën dhe kanë të bëjnë me vlerësimin e gatishmërisë së bizneseve për integrimin në Tregun Unik Europian, si edhe me informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre mbi detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni i Bashkimit Europian. Shtylla e tretë fokusohet në zhvillimin e aftësive profesionale dhe menaxheriale që bizneset kanë nevojë për të përballuar me sukses këtë proces transformimi, ndërsa shtylla e katërt synon rritjen e konkurrueshmërisë së tyre përmes mbështetjes financiare, automatizimit të proceseve, përmbushjes së standardeve dhe certifikimeve, si edhe përshpejtimit të transformimit digjital dhe atij të gjelbër”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Në këtë kuadër, ministrja bëri të ditur se nga muaji tetor do të nisë një proces i drejtpërdrejtë komunikimi me bizneset në të gjithë vendin, për të vlerësuar nivelin e përgatitjes së tyre dhe për të identifikuar nevojat konkrete për mbështetje, duke krijuar kështu një bazë të plotë për hartimin e politikave të personalizuara për çdo sektor.
Ibrahimaj theksoi se objektivi i qeverisë nuk është vetëm përshtatja e bizneseve me standardet europiane, por ndërtimi i një ekonomie më produktive, më inovative dhe më konkurruese, si në tregun vendas ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare.
Për realizimin e këtij transformimi, ministrja informoi mbi krijimin e “Team Albania”, një mekanizëm koordinues që do të bashkojë Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Innovation for Albania dhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit, të cilat do të punojnë së bashku për ndërtimin e instrumenteve mbështetëse dhe zbatimin e programit.
Ibrahimaj falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen në hartimin e programit, duke veçuar GIZ, UNDP, BERZH dhe Bashkimin Europian, të cilët kanë kontribuar me ekspertizë teknike për ndërtimin e një programi të përshtatur për çdo sektor të ekonomisë shqiptare.
“Integrimi europian është mundësia më e madhe zhvillimore që ka pasur ndonjëherë ekonomia shqiptare. Angazhimi ynë është që, së bashku me biznesin dhe partnerët tanë, ta kthejmë këtë proces në një histori suksesi dhe transformimi të ekonomisë shqiptare”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

