“Paga 900 euro”, ekspertët skeptikë për realizimin në një kohë të shkurtër: Rritja e pagave, kosto në buxhet
Pas premtimit të kryeministrit të vendit se paga mesatare në vend do të shkojë 900 euro ekspertët thonë se kjo përkthehet në rritje të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit ose ulje të shpenzimeve. Ata janë skeptike per realizimin e kësaj nisme në një periudhë të shpejtë.
Kryeministri Edi Rama ka premtuar që paga mesatare në vend do të shkojë në në rreth 900 euro. Për ekspertin e ekonomisë, Eduart Gjokutaj, në tre vitet e fundit paga mesatare në vend është rritur me 20 për qind, ndërsa bizneset private i kanë rritur dhe më shumë për shkak edhe të mungesës së punonjësve.
Gjokutaj thotë se se kjo përkthehet në rritje të ardhurash ose ulje të shpenzimeve per Buxhetin e Shtetit .
Eduart Gjokutaj: “Në mungesë ende të dokumentacioneve mbi të cilat referohet kjo strategji për rritjen e pagave, mendohet që ose do të rriten të ardhurat e buxhetit. Pra do të rriten kategori taksash, apo kategori të ardhurash të tjera që do të taksohen, ose do të ulen shpenzime të caktuara, të cilat janë tek pjesa e shpenzimeve kapitale, apo shpenzime mirëmbajtjeje”.
Ndërkohë Florian Zekja, koordinator i “Pro Eksport Albania” kjo iniciativë e qeverisë është pozitive, por ai është skeptik nëse objektivi mund të realizohet në një afat të shkurtër.
Florian Zekja: “Mendoj që për një kohë të shkurtër është e vështirë për t’u realizuar kjo. Po të themi që paga mesatare do të jetë 1 milionë e 100 mijë lekë të vjetra, duhet të kemi parasysh që pensionet duhet të arroijnë diku tek 550 mijë lekëshi”.

Zekja thotë se në biznesin e fasonerisë nuk ka ndonjë ndikim, pasi ai target-grup që punon aty nuk ka ambicie punësimi në Administatë.
Florian Zekja: “Nuk mendoj që punonjësit e mi do të kenë ambicie të tilla, pasi është një target punëtorësh që nuk kanë lidhje me detyrat e punonjësve të Administratës. Kështu që mendoj se pagat do të rriten siç janë rritur deri tani jo me urdhëra dhe me VKM, por do të rriten në bazë të ofertë-kërkesës që ka tregu”.
Për eksperët, skema e re qeveritare e pagave do të rritë edhe fondin, që në rastin më minimal do të duhet të shkonte të paktën në nivelin e 30 për qindëshit në krahasim me vitin 2022.
Mirëpo një shtrenjtim i kostove të biznesit rrezikon të përcillet në mosrespektimin e të drejtave të punonjësve lidhur me orët e punës, pushimin dhe lejen vjetore.