Malaj: Të ardhurat e buxhetit u rritën me 34,3 miliardë lekë

Malaj: Të ardhurat e buxhetit u rritën me 34,3 miliardë lekë

Ministri i Financave Petrit Malaj bëri të ditur se, buxheti i shtetit ka arkëtuar rreth 340,5 miliardë lekë, gjatë periudhës 5-mujore të këtij viti me realizim 105,3 % të planit të periudhës.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat u rritën me 34,3 miliardë lekë ose 11,2% më shumë.

Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 286,8 miliardë lekë, me një realizim në masën 96,8%.

Referuar statistikave zyrtare, të ardhurat e mbledhura nga Tatimet dhe Doganat gjatë periudhës janar-maj 2026 arritën në 215,5 miliardë lekë, duke tejkaluar planin me 4,1 miliardë lekë ose 1,9%.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, të ardhurat buxhetore rezultojnë 12,1 miliardë lekë më të larta, ose 5,9% më shumë.

Administrata tatimore mblodhi 120,3 miliardë lekë, me një rritje prej 8,6% krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit të kaluar dhe 5,1% mbi planin. Ndërkohë, të ardhurat nga TVSH-ja neto në vend arritën në 35,8 miliardë lekë, 17,6% më shumë se një vit më parë.

Rritje të ndjeshme shënuan edhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, të cilat u realizuan në nivelin e 40,2 miliardë lekëve, ose 18,1% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Nga ana tjetër, fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, gjeneruan 82,9 miliardë lekë, duke tejkaluar planin dhe duke shënuar një rritje prej 12,8% në bazë vjetore.

Administrata doganore arkëtoi 95,2 miliardë lekë nga TVSH-ja në import, akcizat, taksat doganore dhe renta minerare, ose 2,7% më shumë se në pesëmujorin e parë të vitit 2025.

Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën janar-maj 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ato janë rritur me 19,7 miliardë lekë ose 7,4%.

Shpenzimet kapitale u realizuan në vlerën 25,9 miliardë lekë, 9,4% më shumë se një vit më parë, duke reflektuar vijimin e investimeve publike gjatë muajve të parë të vitit.

EMISIONET