INTERNET NË ÇDO SHTËPI/ Eurostat: 99.3% e familjeve shqiptare kanë akses në internet
Pothuajse çdo familje në Shqipëri ka tashmë akses në internet në banesë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, 99.3% e familjeve shqiptare kishin lidhje interneti në shtëpi, duke e renditur vendin në krye të vendeve që janë pjesë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Të njëjtin nivel regjistron edhe Kosova, me 99.3% të familjeve të lidhura me internet. Të dyja vendet tejkalojnë ndjeshëm mesataren e Bashkimit Evropian, e cila për vitin 2025 ishte 94.7%. Pas tyre renditet Turqia me 96.2%, ndërsa pjesa tjetër e vendeve të zgjerimit mbetet nën mesataren e BE-së.
Në Maqedoninë e Veriut, interneti ishte i pranishëm në 91.2% të familjeve, ndërsa në Serbi në 90.1%. Nivelet më të ulëta u regjistruan në Bosnjë dhe Hercegovinë me 88.2% dhe në Malin e Zi me 88.1%.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë arritur një nivel pothuajse universal të aksesit në internet, duke lënë pas shumë vende të tjera evropiane në këtë tregues.
Rritja e përdorimit të internetit lidhet me zgjerimin e rrjeteve të komunikimit elektronik, përhapjen e telefonisë celulare dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të shërbimeve digjitale.
Arsimi, administrata publike, bankat dhe bizneset po mbështeten gjithnjë e më shumë te platformat online, duke e kthyer internetin në një shërbim të domosdoshëm për jetën e përditshme.
Po ashtu, Shqipëria renditet në vendin e 37-të në botë për shpejtësinë e internetit, duke regjistruar një performancë të mirë mbi mesataren globale.
Shifrat e Eurostat tregojnë se vendi ka arritur një nivel të rëndësishëm, ku interneti nuk është më një privilegj, por një shërbim i pranishëm në pothuajse çdo shtëpi shqiptare.


